Lidhje

NYT: Vonohen planet për komando amerikane në Pakistan


Gazeta New York Times njofton se ka një plan sekret për të vendosur komando amerikane në zonat fisnore të Pakistanit, përgjatë kufirit afgan, në ndjekje të terroristëve që strehohen atje. Por gazeta thotë se plani nuk është vënë në zbatim për shkak të shqetësimeve rreth ndikimit të operacioneve të tilla.

Gazeta njofton se plani ishte hartuar për t'u dhënë fund mosmarrëveshjeve mes agjensive qeveritare amerikane rreth mënyrës së ndjekjes së udhëheqësve të rrjetit terrorist të Al-Kaidës. Por gazeta thotë se të njëjtat mosmarrëveshje kanë ndaluar zbatimin e planeve.

Në veçanti, gazeta thotë se ka shqetësime rreth ndikimit mbi qeverinë e Pakistanit, një aleat kryesor i Shteteve të bashkuara, në se prania e trupave tokësore amerikane do të bëhej publike.

Gazeta The New York Times njofton për "shqetësime në rritje" në Departamentin amerikane të Mbrojtjes rreth vonesave të vazhdueshme në zbatimin e planit. Por zëdhënësi Bryan Whitman thotë se megjithëse nuk mund të komentojë në se plane të tilla sekrete ekzistojnë, ai nuk është në dijeni të ndonjë shqetësimi rreth mos përdorimit të trupave amerikane në ndjekje të terroristëve brenda Pakistanit.

"Unë, nuk kam vënë re një lloj shqetësimi të tillë. Kam vënë re të njëjtin lloj shqetësimi që ju keni dëgjuar nga komandantët tanë ushtarakë: kemi të bëjmë me një rajon kufitar aq të gjatë, sfidues dhe poroz, me një zonë ku operacionet janë kryer në të kaluarën, dhe ku disa elementë duket se gjejnë strehë në Pakistan, dhe me përpjekjet e Pakistanit për të zgjidhur këto shqetësime".

Përdorimi i territorit të Pakistanit përgjatë kufirit afgan si strehë nga al-Kaida dhe grupe të tjera terroriste ka qënë shkaku i shqetësimeve në rritje mes zyrtarëve amerikanë. Grupet dërgojnë rregullisht militantë përtej kufirit për të sulmuar forcat amerikane, afgane dhe ato aleate. Pakistani thotë se një sulm ajror amerikan kundër një grupi të tillë vrau 11 ushtarë pakistanezë në fillim të muajit.

The New York Times thotë se raporti bazohet në më shumë se 12 intervista me zyrtarë të tanishëm dhe të shkuar amerikanë e pakistanezë. Gazeta thotë se al-Kaida tani ka një brez kampesh në zonën kufitare të Pakistanit që i jep asaj kapacitet të ngjashëm me atë që kishte në Afganistan tetë vjetë më parë, kur planifikoi sulmet e 11 shtatorit.

Sipas artikullit, gjenerali pakistanez përgjegjës për rajonin i hedh poshtë akuzat e një pranie të fuqishme të terroristëve, por citon gjithashtu zyrtarët amerikanë që janë kritikë rreth përpjekjeve të gjeneralit për të grumbulluar faktet.

Tani për tani, Shtetet e Bashkuara po kryejnë vetëm sulme ajrore në zonë, bazuar në informacionet e zbulimit ose të ndjekjes së njësive terroriste. //rd//

XS
SM
MD
LG