Lidhje

Franca përballë sfidash madhore në krye të presidencës së Bashkimit Evropian


Franca mori kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian dhe menjëherë njoftoi se kishte në plan të mbante bisedime me Poloninë pasi presidenti i atij vendi tha se nuk do të nënshkruante traktatin e Bashkimit Evropian. Presidenti polak Les Kazinski i tha një gazete se nuk do të kishte kuptim që ai të nënshkruante traktatin pasi votuesit irlandezë e hodhën atë poshtë. Ai vuri në dukje se dokumenti duhet të nënshkruhet nga 27 vendet anëtare që të mund të hyjë në fuqi. Presidenti francez Nikolas Sarkozi ka bërë thirrje për ndryshime thelbësore në procesin e konsolidimit të Evropës. Ai tha se autoritetet franceze duhet të gjejnë rrugë për të mbrojtur evropianët në jetën e tyre të përditshme. Ai përsëriti thirrjet për uljen e taksave të karburantit, si masë ndaj çmimeve në rritje të energjisë. Zoti Sarkozi pritet të shkojë në Irlandë këtë muaj për t'u njohur me shqetësimet irlandeze për traktatin. 19 vende e kanë ratifikuar traktatin. Irlanda ishte vendi i vetëm që duhej ta hidhte në votë dokumentin. Zyrtarët francezë theksuan rëndësinë e reformimit të institucioneve të Bashkimit Evropian, pavarësisht nga rezultati i referendumit irlandez muajin e kaluar.

Presidenca e Bashkimit Evropian për 6 muajt e ardhshëm i kaloi Francës në një ceremoni të zhvilluar mbrëmë në Paris, ku spikaste në sfond monumenti më i njohur i kryeqytetit francez, Kulla Eifel. Ministri i Jashtëm slloven Dimitri Rupelj i dorëzoi homologut francez Bernard Kushner një stafetë, si simbol i kalimit të kompetencave për pjesën tjetër të 2008-ës nga Sllovenia tek Franca.


"Shpresoj se gjatë presidencës së saj, Franca do të jetë në gjendje të komunikojë më shumë me popullin francez, dhe me të gjithë evropianët me të gjitha mjetet e mundshme," u shpreh zoti Kushner, i cili falenderoi homologun Dimitri Rupel për punën e bërë, duke nënvizuar se Sllovenia ka bërë shumë veçanërisht në fushën e energjisë dhe përpjekjeve kundër ndryshimeve klimatike.

Me këto fjalë, Ministri i Jashtëm francez aktivizoi dritat e vendosura në Kullën Eifel, e cila mori ngjyrën blu të flamurit evropian, me 12 yjet e verdha.

Franca ndeshet me sfida madhore gjatë presidencës së saj. Organizata me 27 anëtarë nuk ka arritur ende të gjejë një qëndrim të përbashkët për kushtetutën e Bashkimit. Pas votave jo të Holandës dhe vetë Francës në vitin 2005, udhëheqja e Bashkimit Evropian u angazhua në përpjekje intensive për të informuar popullatën për rëndësinë e këtij dokumenti. Megjithatë, shanset e miratimit të tij së shpejti mbeten ende të paqarta, pasi votuesit irlandezë e hodhën atë poshtë me referendumin e 13 qershorit. Kjo votë ishte një goditje e fortë ndaj ambicjeve të Bashkimit për të reformuar procesin vendim-marrës dhe për të marrë përsipër një rol më të fortë në arenën ndërkombëtare.

Problemet në miratimin e kushtetutës e kanë shtyrë më tej perspektivën për zgjerim me vende të tjera të Evropës Lindore. Presidenti francez Nikola Sarkozi paralajmëroi se pa u zgjidhur kjo çështje do të ishte pa vend të diskutohej zgjerimi i mëtejshëm i organizatës:

"As që mund të bëhet fjalë për të vazhduar zgjerimin e Bashkimit Evropian, nëse Evropa nuk është në gjendje të ngrejë institucionet e saj. E ndërmorëm një hap të tillë me Evropën Lindore dhe ishte gabim. Unë jam dakord që organizata të zgjerohet me vende evropiano-lindore, por pasi të kemi reformuar institucionet tona," tha zoti Sarkozi.

Presidenti francez është komentuar gjerësisht në shtyp për notat negative në këtë moment të rëndësishëm për Francën. Shumë analistë shprehen me skepticizëm nëse udhëheqësi francez do të mund të luajë rolin konstruktiv që pritet prej tij, për të forcuar konsensusin mes vendeve anëtare të organizatës.

Vetë francezët nuk janë shumë optimistë për rolin që mund të luajë Parisi në krye të presidencës së organizatës, në një atmosferë kaq të ngarkuar nga çmimet e larta të naftës, rënia e ritmeve të zhvillimit ekonomik, dhe kursi i lartë i shkëmbimit të euros me dollarin. //ad//

XS
SM
MD
LG