Lidhje

Mekein, premtime për forcimin e drejtësisë, në se zgjidhet president


Kandidati republikan për president Xhon Mekein thotë se po të zgjidhet president, ai do të luftojë krimet e dhunshme, do të shtojë përkrahjen për forcat e rendit dhe do të emërojë gjykatës federalë, që kujdesen së pari për të drejtat e viktimave dhe të shtetasve që zbatojnë ligjin.

Senatori Mekein i bëri këto komente gjatë një konference kombëtare të sherifëve në shtetin Indiana.

Zoti Mekein kritikoi një vendim të gjykatës së lartë javën e kaluar, që ndalon dënimin me vdekje për ata që përdhunojnë fëmijët. Ai theksoi se kandidati demokrat për president, Barak Obama, gjithashtu nuk është dakord me vendimin e Gjykatës së Lartë, por megjithatë, përkrah gjykatësit që morën këtë vendim.

Zoti Mekein tha se presidentit të ardhshëm do t’i duhet të emërojë qindra gjykatës e gjykatëse në gjykatat federale dhe u zotua se si president, ai do të emëronte kandidatë të kualifikuar.

Ndërkohë, senatori Obama pritet të shpallë sot mbështetjen e tij për forcimin e një programi të presidentit Bush që u jep fonde federale organizatave bamirëse fetare.//lk

XS
SM
MD
LG