Lidhje

Senatorët Mekejn dhe Obama theksojnë qëndrimet e tyre


Kandidati republikan për president, Xhon Mekejn shkoi dje në Kolumbi si pjesë e përpjekjeve për të treguar mbështetje për tregëtinë e lirë dhe ekspertizën e tij në politikën e jashtme. Kundërshtari demokrat i zotit Mekejn, Senatori Barak Obama foli dje rreth fesë gjatë një takimi me një grup votuesit që përkrahin në përgjithësi më shumë kandidatët presidencialë republikanë.

Udhëtimi i senatorit Mekejn përfshin ndalesa në Kolumbi dhe Meksikë.

Zoti Mekejn pritet të theksojë përpjekjet e Kolumbisë kundër trafikut të drogës si dhe mbështetjen e tij për një marrëveshje të tregëtisë së lirë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kolumbisë që është zvarritur në kongresin amerikan.

Zoti Mekejn e ka kritikuar senatorin Obama sepse mbështet rinegocimin e Marrëveshjes së Tregëtisë së Lirë në Amerikën e Veriut me Kanadanë dhe Meksikën.

Dje, zoti Mekejn premtoi të qëndrojë në ofensivë kundër krimeve të dhunshme në Shtetet e Bashkuara dhe premtoi të emërojë gjyqtarë federalë që kanë atë që ai e quajti vendosmërin të provuar për të zbatuar ligjin.

"Ata do të jenë gjyqtarë që besojnë në parimin për t’u garantuar drejtësinë fajtorëve dhe të pafajëshmve, ata do të jenë të dhimbshur për viktimat dhe do të kenë respekt për burrat dhe gratë e forcave të rendit".

Ndërkohë senatori Obama ishte dje në Ohio, në përpjekje për të siguruar mbështetjen e një grupi votuesish fetarë, që ka hezituar të mbështesë kandidatë presidencialë demokratë.

Zoti Obama premtoi të vazhdojë programin e presidentit Bush për dhënien e ndihmës federale për shoqatat bamirëse-fetare për të luftuar varfërinë, një program që disa demokratë e kundërshtojnë.

"Ne e dimë se besimi fetar dhe vlerat mund të jenë burim i fuqishëm në jetën tonë. Kjo është domethënia e besimit për mua dhe ka qënë e tillë për shumë amerikanë".

Senatori Obama premtoi të mbajë të pandryshuar ndarjen tradicionale të kishës nga shteti në zbatimin e këtyre programeve.

Ai kritikoi gjithashtu komentet e një prej përkrahësve të tij, gjenerali amerikan në pension Uesli Klark.

Zoti Klark i tha programit CBS, Face the Nation të djelën se përvoja ushtarake e senatorit Mekejn në Vietnam nuk e bën atë me domosdo të kualifikuar për në Shtëpinë e Bardhë.

"Nuk mendoj se të kesh qënë në avionë luftarakë dhe të jesh qëlluar është një kualifikim për të qënë president".

Zoti Mekejn u qëllua gjatë Luftës së Vietnamit dhe kaloi pesë vjet e gjysëm si i burgosur lufte.

Komentet e gjeneralit Klark nxitën zemërim tek mbështetësit e zotit Mekejn dhe tek disa demokratë. Zoti Obama u pyet rreth kësaj çështje në konferencën për shtyp dje në Ohio.

"Shërbimi i senatorit Mekejn është heroik dhe ai meriton respektin për të. Unë me të kam mosmarrëveshje përsa i përket politikave".

Përqëndrimi i senatorit Obama tek besimi fetar vjen një ditë pasi ai bisedoi rreth patriotizmit, pjesë e një serie fjalimesh përpara ditës së pavarësisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara më 4 Korrik.


XS
SM
MD
LG