Lidhje

A ka krizë në koalicionin qeverisës në Kosovë? - Vazhdojnë debatet


A ka krizë në koalicionin qeverisës në Kosovë? Debatet rreth kësaj çështjeje po vazhdojnë tash dy ditë me radhë që nga incidenti parlamentar i së hënës që çoi në shkarkimin e zëvendësministrit të tregtisë dhe industrisë Naser Osmani.

Ky vendim i kryeministrit, Hashim Thaçi, pasoi një përplasje ndërmjet zotit Osmani dhe Ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, gjatë së cilës siç u tha, janë përdorur fjalë fyese në adresë të qeverisë. Vendimi u kundërshtua nga kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila e cilësoi të ngutshëm dhe shkelje të marrëveshjes për koalicion qeverisës, vendimin e kryeministrit Thaçi.

Megjithatë, udhëheqës politik në Kosovë nuk besojnë se kjo ngjarje mund të dëmtojë koalicionin ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës i cili qeveris vendin që prej shtatë muajsh.

Kryetari i Parlamentit të Kosovë, Jakup Krasniqi, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike, tha sot se koalicioni qeverisës nuk do të rrënohet për shkak të incidentit të së hënës. "Unë nuk mendoj se do të prishet koalicioni. Unë mendoj se koalicioni do të bisedojë dhe do ta tejkalojë këtë krizë të panevojshme dhe të pa arsyeshme”, tha kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi.

Interesi i Kosovës është që të kapërcehet çdo krizë që mund të shfaqet. Më së miri mendoj se e ka thënë fjalën në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës Presidenti i Kosovës dhe unë s’kam çka të shtoj. Çështja duhet të zgjidhet dhe secili duhet të japë përgjegjësinë që i takon para institucionit që e përfaqëson", tha zoti Krasniqi

As përfaqësuesit e opozitës nuk e shohin incidentin e së hënës shkak për prishjen e koalicionit qeverisës, ndonëse siç thotë Naim Maloku, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë, vendimi i kryeministrit Hashim Thaçi ishte i ngutshëm.

"Unë mendoj se nuk ka arsye të bjerë qeveria. Mendoj, si grup parlamentar dhe si AAK se incidenti ka ndodhur në suaza të një, mund të themi, incidenti normal që ndodh edhe në parlamentet tjera. Deputeti Naser Osmani e ka tërhequr fjalën, mirë do të ishte që këtë ta bëjë edhe ministri Limaj. Personalisht mendoj se masa e ndërmarrë ndaj zëvendësministrit Naser Osmani ka qenë paska e ngutshme dhe nuk është dashur të merret një masë e tillë për shkas se faji po mbetet vetëm në njërën palë,” tha deputeti Naim Maloku.

Analistë ndërkaq vlerësojnë se partitë në koalicion do të kenë fuqi të mjaftueshme për ta tejkaluar këtë sprovë. Analisti, Ilir Dugolli, tha se incidenti ka ndikuar që të zhvendoset vëmendja nga gjërat parësore të institucioneve të Kosovës. Koalicioni është përballur me sprovën më të vështirë deri më tani dhe mbetet për t’u parë se si do të menaxhohet kjo, a do të tejkalohet apo nuk do të tejkalohet. Unë nuk dyshoj se s’do të ketë fuqi të mjaftueshme nga të dyja partitë për ta tejkaluar këtë sprovë. Por, duket se të dyja forcat janë të interesuara që ta tejkalojnë këtë”.

Analisti Dugolli nuk mendon se kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, do të rishqyrtojë vendimin e marrë për shkarkim nga detyra të zëvendësministrit të tregtisë dhe industrisë.

Kemi të bëjmë me një vendim që është marrë në koordinim mes dy udhëheqësve të partive, njëherësh bartëse të funksioneve më të larta në vend. Andaj, nuk shoh fort hapësirë të madhe për rishqyrtimin e atij vendimi, së paku, duke i shikuar të gjithë faktorët. Ajo që mund të jetë potencialisht problematike është sesi të zbutet pakënaqësia brenda një krahu të vetë LDK-së, partnerit në koalicion, sepse kjo pakënaqësi ka qenë e pranishme edhe më herët”, thotë zoti Dugolli.

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, arritën një marrëveshje për të qeverisur së bashku në fillim të këtij viti pas rezultateve të zgjedhjeve të 17 nëntorit të vitit të kaluar. Për herë të parë Partia Demokratike doli fituese në zgjedhje duke lënë në vendin e dytë rivalen e saj të vjetër. //bsa//

XS
SM
MD
LG