Lidhje

Dënimi dhe zbardhja e krimeve të diktaturës rikthejnë debatet në Tiranë


Dënimi dhe zbardhja e krimeve të diktaturës komuniste është rikthyer në qendër të debateve të qarqeve politike dhe opinionin publik të Shqipërisë. Kështu ndodhi edhe sot, kur regjisori i njohur i televizionit publik shqiptar, Esat Teliti, dhe skenaristi një ish i dënuar politik, Tomorr Aliko, shfaqën një film të ri dokumentar për vitet e diktaturës.

“U gëzuam shumë kur dëgjuam se do të hapen dosjet e sigurimit të shtetit. Shumë e drejtë. Ata që e meritojnë le të rrinë në parlament dhe në qeveri. Ata që nuk meritojnë, le të ikin vetë përpara se t’i përzënë”- tha Tomorr Aliko, mes duartrokitjeve aprovuese të bashkëvuajtësve të vet.

Në tubim morën pjesë presidenti Bamir Topi, kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, dhe shumë ish të dënuar të regjimit komunist. Zonja Topalli thotë se shoqëria shqiptare nuk mund të ketë drejtësi dhe as pajtim, pa mbyllur më parë kapitullin e shëmtuar të diktaturës.

“Mbyllja e këtij kapitulli të shëmtuar mund të realizohet vetëm duke hapur dosjet e Sigurimit. Ne nuk mund të lejojmë më, që arkivat tona të mbajnë sekrete nga koha e diktaturës. Kanë kaluar 20 vjet dhe mendoj se është momenti, që të mos mbajmë më mbyllur asnjë sekret mbi diktaturën, për asnjë qytetar shqiptar, për të parë se çfarë ka ndodhur gjatë asaj periudhe. Ka mjaft gjyqe politike që sollën pushkatimin e 6 mijë shqiptarëve, apo burgosjen e 17 mijë të tjerëve, mes të cilëve një numër i madh janë gra. Ai ishte një regjim terrorist, ishte nje sistem i vdekjes, i mizorisë, ku numri i burgjeve dhe kampeve të përqëndrimit ishte më i madh se numri i stadiumeve, shkollave dhe universiteteve të marra së bashku” - tha zonja Topalli.

Një nga drejtuesit e shoqatës antikomuniste të ish të dënuarve politikë, Sejdi Peka, thotë se për fat të keq, shumë njerëz që mbajtën në këmbë diktaturën tani po punojnë në admistratën shtetërore të demokracisë.

“Dekomunistizimi është kusht themelor për të ecur demokracia shqiptare drejt Europës. Strukturat e vjetra të regjimit komunist sot janë bërë pengesë serioze në këtë rrugë të demokracisë dhe kjo duhet të na shqetësojë shumë”- thotë zoti Peka.


Shkrimtari Eden Babani thotë se përndjekja e antikomunistëve ka vazhduar me ashpërsi në disa breza, por deri tani kjo nuk është dokumentuar ende.

“Do të ishte mirë që shteti vetë të interesohej për këtë gjë, pra, për dënimin e gjenocidit komunist në shkallë gjithë shqiptare, ashtu si ka bërë bota e përparuar, Gjermania me nazizmin apo vende të tjera”, - thotë zoti Babani.

Parlamenti shqiptar ka miratuar disa vjet më parë njërën nga dy rezolutat e Këshillit të Europës për dënimin dhe zbardhjen e krimeve të diktaturave, por qysh atëherë pikat e rezolutës nuk janë zbatuar në praktikë. Në parlament është hedhur ideja për një ligj për të hapur dosjet e diktaturës dhe Sigurimit famëkeq të Shtetit, ndërkohë që vazhdojnë debatet ligjore dhe politike për zbardhjen e krimeve të komunizmit.//lk

XS
SM
MD
LG