Lidhje

Faqja e internetit potus.com - informacione për presidentët


Tani që në Shtetet e Bashkuara janë në fushatë zgjedhjesh presidenciale, materialet rreth kandidatëve, por edhe presidentit aktual, Xhorxh Bush nuk mundojnë, përkundrazi, ato janë mjaft të zgjeruara, natyrisht me synimin për të informuar abonentin, qoftë ky lexues, dëgjues apo shikues. Por sapo këto personalitete i kalojnë historisë, dhe me kalimin e viteve, duket sikur askush nuk flet shumë për ta. Një boshllëk të tillë e plotëson deri diku faqja elektronike Potus.com.

Potus.com është një faqe elektronike rreth presidentëve të Shteteve të Bashkuara, ku mund të gjesh informacion rreth secilit prej tyre. Ajo është më shumë edukative se sa politike.

Bob Samërs është krijuesi i faqes Potus.com për presidentët amerikanë. Në këtë faqe, mund të gjesh një koleksion të fakteve bazë rreth çdo presidenti si dhe lidhje të shumta me faqe të tjera elektronike, që kanë informacione të dobishme."Aty mund të gjesh informacion rreth vendlindjes së tyre, çfarë shkolle kanë ndjekur e kështu me radhë. Pastaj flitet rreth zgjedhjes së tyre, rreth anëtarëve të kabinetit me lidhje për biografitë e tyre, lidhje të tjera rreth fjalimeve të tyre interesante si dhe të dhëna të tjera interesante rreth jetës personale të presidentëve".

Zoti Samërs thotë se faqja e tij elektronike vizitohet nga njerëz të të gjitha vendeve të botës, por është një faqe që tërheq veçanërisht nxënësit e shkollës fillore, të cilëve padyshim u pëlqejnë faktet bazë të radhitura aty. Por jo vetëm këta nxënës vlerësojnë lehtësinë për të lexuar autobiografinë e Tomas Xhefërsonit apo rezultatet e zgjedhjeve presidenciale që nga viti 1789, madje edhe rrogën e çdo presidenti. Rroga e presidentit Xhorxh Uashington, për shembull, ishte 25 mijë dollarë në vit, por ai nuk pranonte ta merrte atë.

Për të ndjekur zgjedhjet e këtij viti, faqja Potus.com, ka krijuar lidhje me lajmet më të fundit të fushatave si dhe me vetë faqet elektronike të kandidatëve."Shpresoj të shtoj më shumë informacion rreth kandidatëve në mënyrë që të njohim anën e tyre personale. Një prej gjërave që përpiqem të tregoj në faqen time është se kandidatët janë njerëz si gjithë të tjerët, megjithëse ata kanë veçoritë e tyre, që u bëjnë të mundur të fitojnë emërimin e partisë për të kandiduar për në zgjedhjet e nëntorit. Dhe kjo është e ardhmja, të mësojmë më shumë rreth këtyre kandidatëve si individë".

Faqja elektronike Potus.com është shumë e pasur jo vetëm me informacionet e saj rreth presidentëve amerikane, por ka lidhje me mbi 200 faqe të tjera elektronike me informacione që kanë të bëjnë me presidentët amerikanë, administratat e tyre dhe ndikimin që kanë lënë në histori.//IB

XS
SM
MD
LG