Lidhje

Tema e patriotizmit mbizotëron fjalimet e kandidatëve presidencialë


Këtu në Shtetet e Bashkuara, festimet e sotme për Ditën e Pavarësisë shoqërohen me plot flamuj që valviten dhe me fishekzjarre të shumtë. Dy kandidatët për president që presin të marrin emërimin e partive të tyre përkatëse, republikani Xhon Mekein dhe demokrati Barak Obama, kanë vazhduar edhe këtë javë fushatat, ku nuk ka munguar as tema e patriotizmit.

Në disa takime fushate, duke përfshirë edhe këtë në qytetin Independence, të shtetit Mizuri, kandidati demokrat Barak Obama e ka rrethuar veten me flamurë amerikanë. Ai iu përgjigj zërave në Internet që vinin në pikëpyetje besnikërinë e tij ndaj vendit.

"Disa herë në 16 muajt e fundit, kam vënë re për herë të parë se po vihet në pikëpyetje patriotizmi im."
"Çështja se kush është e kush nuk është patriot shpesh i helmon debatet tona politike."


Edhe zoti Obama u distancua nga komentet e bëra nga përkrahësi i tij, gjenerali në pension Uesli Klark, i cili tha se përvoja e zotit McCain në luftën e Vietnamit jo domosdo e kualifikon atë për të qenë komandant i përgjithshëm.

Të martën, zoti Obama e zgjeroi temën e tij duke filluar të flasë mbi Zotin dhe mbi Atdheun. Në Ohajo, ai u përpoq të afrohet me konservatorët fetarë, që tradicionalisht mbështesin republikanët, duke shprehur mbështetje për programet sociale që bazohen te feja.

"Siç e kam thënë shumë herë, ndryshimi vjen jo nga lart poshtë por nga poshtë lart. Dhe nuk ka institucione që të jenë më afër njerëzve se sa kishat, sinagogat, tempujt dhe xhamitë. Prandaj Uashingtoni duhet të mbështetet tek ato."

Ndërkohë, republikani Xhon Mekein e ka vënë theksin te qendrimet e partisë së tij lidhur me “ligjin dhe rendin”. Ai u tha një grupi policësh në shtetin Indiana se Kongresi duhet t’u japë forcave të rendit gjithçka që ata kanë nevojë për të luftuar krimin.

Më pas, për të demonstruar aftësitë në politikën e jashtëme, ai shkoi në Kolumbi për t’u takuar me presidentin Alvaro Uribe dhe për t’i bërë presion Kongresit amerikan – të kontrolluar nga demokratët - të miratojë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kolumbinë.

"Dua të ve në dukje se një marrëveshje e tregtisë së lirë është arritur mes Kolumbisë e Kanadasë dhe Kolumbia po negocion edhe me Bashkimin Europian. Shpresoj se do të jemi në gjendje të attijmë një marrëveshje për tregtinë e lirë mes dy vendeve tona."

Gjatë udhëtimit nga Kolumbia për në Meksikë, zoti Mekein mohoi çdo lidhje mes vizitës së tij në Kolumbi dhe shpëtimit të ish kandidates kolumbiane për presidente Ingrid Betancourt, e cila mbahej peng nga guerriljet marksiste.

Gjatë kësaj periudhe feste, kur në traditën amerikane shumë njerëz hanë drekë jashtë me ushqime të zgarës, një sondazh i agjencive të lajmeve "Associated Press" dhe "Yahoo News" tregon se shumica e të anketuarve do të preferonin një piknik me zotin Barak Obama se sa me senatorin Xhon Mekein.//lk

XS
SM
MD
LG