Lidhje

Rreziku i zhdukjes së gjuhëve


Ndërsa në mbarë botën ka rreth 7 mijë gjuhë të ndryshme, vetëm 83 për qind e tyre përdoren nga shumica e popullsisë. Studjuesit thonë se shumë nga gjuhët e tjera, që nuk fliten, rrezikohet të zhduken, duke paralajmëruar se ndoshta gjysma e gjuhëve të botës nuk do të ekzistojnë më deri në fund të shekullit. David Harrison në Insitutin, “Gjuhët që Jetojnë” për Gjuhët e Rrezikuara të Botës, thotë se zhdukja e gjuhëve përbën një krizë me përmasa të jashtëzakonshme dhe se ai po përpiqet për përmirësimin e gjendjes.

David Harrison është profesor dhe linguist. Ai shkon në vende të prapambetura të botës me pajisje regjistrimi, me një bllok dhe laps, për të grumbulluar dhe ruajtur gjuhët e banorëve autoktonë, që janë në prag të zhdukjes.

"Unë punoj me folësit e fundit të gjuhëve që rrezikohet të zhduken dhe prandaj, kur ulem me një të moshuar në Australinë Veriore, psh., në Indi, apo në Siberi, jam tepër i ndërgjegjshëm në regjistrimin që po bëjmë. Në disa raste, regjistrimi ynë është i pari që është bërë ndonjëherë për ato gjuhë, prandaj edhe shqetësohem shumë për cilësinë e tingullit. Në raste të tjera, ky i yni mund të jetë regjistrimi i fundit, që kemi për të patur mundësinë të realizojmë".

Kjo është pjesë e projektit “Zërat që mbijetojnë”, të organizuar nga Qendra “National Geographic” dhe Insituti “Living Tongues”, “Gjuhët që jetojnë”, të zotit Harrison.

"Ne e kemi quajtur këtë sfidën më të madhe të ruajtjes së gjuhëve të kohës sonë. Unë nuk dua ta nënvleftësoj sfidën e ruajtjes së specieve dhe ekosistemeve, por gjuhët rrezikohen më tepër. Ato do të zhduken më shpejt dhe duhet patur parasysh që ato mbajnë disa nga sekretet e mbijetesës njerëzore dhe përshtatjen e planetit tonë".

Në librin e tij “Kur gjuhët vdesin”, zoti Harrison thotë se shumica e njerëzve të botës flasin një nga 83 gjuhët dominuese dhe pak a shmuë, në çdo dhjetë ditë, humbasim një prej gjuhëve të popullsive fisnore.

Gjysma e gjuhëve të botës, 3 mijë e 500 gjuhë fliten nga 0,1 për qind e popullsisë së botës. Pra, në se interesohemi për përhapjen e njohurive, ato ruhen nga një pjesë shumë e vogël e popullsisë dhe janë nën presion të madh të gjuhëve të botës dhe globalizimit.

Ekipi i projektit po i përqëndron përpjekjet në rajone që njihen si pika të nxehta, apo të rëndësishme të gjuhëve.

"Një pikë e nxehtë është një vend me diversitet të madh gjuhësh, por me nivele të larta të rrezikut për t’u zhdukur dhe me nivele të ulëta të dokumentimit shkencor".

Pjesërisht, falë projektit “Zërat që mbijetojnë”, ka një interes të ri për gjuhët e fiseve indigjene, në disa shkolla të Australisë, të Amerikës Veriore dhe gjetkë.

... Por shkencëtarët e projektit nuk mund t’i shpëtojnë të gjitha gjuhët që kanë hyrë tashmë në rrugën e zhdukjes. Synimi i tyre është të dokumentojnë ç’ka munden dhe të na bëjnë të ndërgjegjshëm për faktin, se kur një gjuhë zhduket, humbasin njëkohësisht edhe njohuritë shumëvjeçare.


XS
SM
MD
LG