Lidhje

Gratë shqiptare dhe ligjet për barazi gjinore


Gjendja e gruas në Shqipëri ka pasur uljet dhe ngritjet e veta gjatë viteve të tranzicionit. Shoqatat joqeveritare dhe shteti shqiptar janë përpjekur për rregullimin e gjendjes sociale të gruas përmes ligjeve të barazisë gjinore. Megjithatë, drejtueset e shoqatave të grave ende shprehin shqetësim sidomos për moszbatimin e këtyre ligjeve the diskriminimin e gruas në çështjet e punësimit.


Në Shqipëri, pozita e femrës në shoqëri ka kaluar periudhën e vet të tranzicionit ashtu si çdo gjë tjetër pas ndryshimit të sistemit në fillimin e viteve ’90. Shteti shqiptar nga ana e tij ka miratuar ligjet e barazisë gjinore që synojnë t’u japin grave mundësi të barabarta në çdo fushë të jetës. Megjithatë, disa drejtuese të shoqata joqeveritare të grave shprehin shqetësimin se pavarësisht nga legjislacioni i miratuar, ekziston një mungesë e theksuar në zbatimin e tij. Jeta Katro është presidente e shoqatës “Rrjeti i Grave Milenium.”

“Shqipëria ka ligje të mira, problemi me Shqipërinë është se sa implementohen këto ligje. Dhe ky është problemi edhe me barazinë gjinore, i cili megjithëse u miratua në vitin 2004 snjëherë nuk u zbatua.”

Eglantina Gjermeni, drejtore ekzekutive e Aleancës Gjinore për Zhvillim thotë se faktor që ndikon tek moszbatimi i ligjit për barazinë gjinore, dhe si pasojë, tek gjendja e dobët e grave në Shqipëri është edhe pjesëmarrja e ulët në vendimmarrje.

“Qasja e ulët e grave në vendimmarrje krijon probleme në politikat dhe zbatimin e tyre në mënyrë që gratë dhe burrat të përfitojnë në mënyrë të barabartë në Shqipëri.”

Ekonomia dhe pavarësia financiare janë bazat e forcimit të pozitës së gruas në shoqëri. Por arritja e këtyre kushteve vështirësohet shumë nga praktikat diskriminuese të punësimit sidomos në sektorin privat. Për këtë zonja Gjermeni thotë se megjithë përmirësimet legjislative, realiteti vazhdon të jetë mjaft i vështirë për gratë në Shqipëri.

“Ajo që doja të theksoja është se një nga problemet që kanë gratë dhe vajzat në Shqipëri është qasja e ulët ndaj punësimit, pra mundësitë e kufizuara që kanë për punësim, varfëria, problemi i dhunës në familje etj.”

Pёr të njëjtën çështje, zonja Katro pajtohet duke vënë në dukje thotë se megjithëse përqindja e grave të punësuara në sektorin shtetëror është më e mirë se në sektorin privat, ajo që vihet re është se gratë punësohen kryesisht në nivelet e ulëta ku edhe pagat janë më të vogla. Ndërsa pozicionet më të paguara, pra ato drejtuese i mbajnë kryesisht meshkujt.

“Kjo sigurisht përbën një diskriminim të dyfishtë për shkak të mungesës së mundësisë për të pasur një karrierë, por edhe për sa i përket pagës. Dhe megjithëse kushtetuta jonë pranon faktin se burrat dhe gratë duhet të paguhen njësoj, statistikat që kemi mbledhur ne tregojnë se këto janë shifra që tregojnë diskriminim.”

Drejtueset e shoqatave të grave pajtohen se për sa i përket kuadrit ligjor dhe të politikave situata e grave në Shqipëri është përmirësuar. Megjithatë, ende mbeten pa u zgjidhur çështjet si niveli i ulët ekonomik, varfëria, dhe problemi i dhunës dhe krimit në familje i cili është rritur kohët e fundit. Prandaj, ato thonë se nxitja e politikave që mund të jenë në favor të grave dhe vajzave do të ndikonte edhe në përmirësimin e mirëqënies në familjen shqiptare dhe arritjen e një shoqërie të mundësive të barabarta.

XS
SM
MD
LG