Lidhje

Marrëdhëniet Rusi - Ukrainë në aspektet tregtare dhe ushtarake


Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, u takua kohët e fundit me homologen e tij ukrainase, Julia Timoshenko në Moskë, për të diskutuar mbi çështje ekonomike dhe ushtarake. Zoti Putin paralajmëroi se zgjidhja e këtyre problemeve mund t'i kushtojë Ukrainës në forma të ndryshme, jo vetëm përsa u përket çmimeve më të larta të energjisë, por edhe humbjes së kontratave të lakmueshme për industritë ruse të sigurisë dhe hapësirës. Por Kievi po përpiqet t'i minimizojë këto kosto.

Kryeministri rus Vladimir Putin tha se udhëheqësit rusë do të donin t'i rrisnin gradualisht çmimet e gazit për Ukrainën, duke iu afruar kështu kostos së lartë me të cilën ndeshen fqinjët e saj evropianë. Por disa vende furnizuese të Azisë Qendrore po e nxisin Moskën t'i rrisë çmimet për Ukrainën, duke filluar nga janari i vitit 2009.

Zonja Timoshenko tha në një intervistë televizive për stacionin "One Plus One", se të dy udhëheqësit kanë rënë dakord që Rusia ta rrisë çmimin e naftës për Ukrainën në nivelin e vendeve të tjera evropiane gjatë 3-4 vjetëve të ardhshëm. Por qeveria ruse nuk e ka konfirmuar këtë.

Gazi natyror ka qenë një burim polemikash mes të dy vendeve; Rusia e ka pakësuar, ose ndërprerë furnizimin e Ukrainës me gaz në disa raste gjatë viteve të fundit. Kryeministri rus e vlerësoi Ukrainën, që nuk ka më borxhe për gazin, kur është fjala për faturat e tanishme, për herë të parë në shumë vite.

Zoti Putin thotë se Ukraina ka borxhe nga vitet e mëparshme dhe se të dyja palët po i vazhdojnë përpjekjet për të gjetur zgjidhje për këtë çështje. Megjithatë, nuk ka më borxhe për faturat e fundit, gjë që ai e komenton si një rezultat i mirë i punës së qeverisë aktuale dhe një kusht i mirë për të shkuar përpara, drejt zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me gazin.

Duke e kthyer vëmendjen tek anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO, zoti Putin tha se Rusia do t'i jepte fund kontratave ushtarake dhe të armëve me Ukrainën, si dhe për objektet e hapësirës të cilat varen nga Moska, nëse Ukraina i bashkohet Aleancës së Mbrojtjes së Perëndimit. Moska e kundërshton anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO dhe zoti Putin tha se anëtarësimi në organizatë do të ishte jo produktiv për sigurinë ndërkombëtare.

Analisti i pavarur rus për çështjet ushtarake, Pavel Felgenhauer, i tha Zërit të Amerikës se përpjekjet për rikrijimin e linjave ukrainase të prodhimit mund të jetë diçka e vështirë.

"Sa të suksesshme do të jenë Rusia në planet për të rikrijuar në territorin e saj linjat e prodhimit, apo për të prodhuar pajisje të ndryshme dhe komponentë që prodhohen sot në Ukrainë, për territorin rus, kjo është një tjetër çështje. Ndoshta pjesërisht ato do të jenë të sukesesshme, ndoshta jo. Kjo nuk është një thjesht bllokadë ndaj Ukrainës, por që kemi të bëjmë me një kërcënim, kjo është e qartë".

Një tjetër çështje që ka ngjallur debate, është largimi i flotës ruse në ga Deti i Zi, e cila është vendosur në portin Sevastopol, të gadishullit ukrainas të Krimesë. Përfaqësuesi i Rusisë në NATO, Dmitri Rogozin, kohët e fundit tha se Rusia nuk do të largohej kurrë nga Sevastopoli, megjithë një marrëveshje të arritur me Ukrainën, e cila kërkon tërheqjen e flotës ruse deri në vitin 2017. Kohët e fundit, Moska ka kërkuar ta shtyjë afatin për përdorimin e portit, por zonja Timoshenko la të kuptohet se kjo nuk ka gjasa të ndodhë.

Kryeministrja ukrainase thotë se të dyja palët kanë një marrëveshje, për qëndrimin e flotës ruse deri në vitin 2017 dhe se vendi i saj do ta respektojë këtë marrëveshje, ashtu si edhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare, me shumë saktësi dhe pa lejuar devijime.

Por analisti i pavarur rus Pavel Felgehauer thotë se që tani deri në vitin 2017, mund të ndodhin shumë gjëra, mes të tjerash edhe zgjedhjet në Ukrainë, që mund të sjellin në fuqi një qeveri më pro Moskës.

Analisti politik i Qendrës Carnegie në Moskë, Sam Greene, i tha Zërit të Amerikës se diskutimet e javës së kaluar mes zotit Putin dhe zonjës Timoshenko tregojnë se nevojitet shumë punë për riparimin e marrëdhënieve të tensionuara mes Rusisë dhe Ukrainës.

"Mendoj se në këto diskutime u pa qartë, se ka çështje, të cilat janë shqetësuese për të dyja palët dhe asnjëra palë nuk është gati të bëjë kompromiset e nevojshme për të përparuar drejt kapërcimit të këtyre çështjeve, apo në një farë mase, për trajtimin e tyre".

Por zoti Greene thotë se ka patur ndryshime në natyrën e dialogut, duke theksuar se u vu re një ton i përzemërt mes dy udhëheqësve, që tregon se asnjëri nga vendet, nuk do në të vërtetë, që marrëdhëniet dy palëshe të jenë problematike.

XS
SM
MD
LG