Lidhje

Departamenti i Shtetit: Përpjekjet për marrëveshje me Poloninë mbi sistemin e raketave do të vazhdojnë


Departamenti amerikan i Shtetit thotë se përpjekjet mbi një marrëveshje për mbrojtjen nga raketat me Poloninë do të vazhdojnë, pavarësisht nga fakti që një takim dje mes Sekretares së Shtetit Kondoliza Rajs dhe Ministrit të Jashtëm polak Radek Sikorski, nuk pati ndonjë përfundim. Mbrëmë zonja Rajs u nis për një turne evropian, gjatë të cilit ajo do të nëshkruajë një marrëveshje për mbrojtjen nga raketat me Republikën Çeke.

Zyrtarët e administratës së Presidentit Bush pranojnë se do të kishin dashur të ishte arritur një marrëveshje me Poloninë për mbrojtjen nga raketat, e cila të nënshkruhej gjatë turneut 4-ditor të zonjës Rice në Evropë. Por ata thanë se edhe pse shanset për këtë tani duket se janë thuajse zero, negociatat me qeverinë e Varshavës do të vazhdojnë.

SHBA duan të vendosin 10 raketa interceptuese në Poloni dhe një sistem radarësh në Republikën Çeke, për t’iu kundërvënë kërcënimit me raketa me rreze të gjatë veprimi nga Irani.

Një marrëveshje në parim me Republikën Çeke u arrit disa javë më parë dhe zonja Rice është në plan të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit sot pasdite në Pragë, që është edhe ndalesa e parë e saj në Evropë. Më pas zonja Rice do të shkojë në Bullgari dhe në Gjeorgji.

Zonja Rice dhe Ministri i Jashtëm polak u takuan dje në mëngjes me dyer të mbyllura, në një përpjekje të fundit për t’i dhënë fund bisedimeve, para nisjes së Sekretares së Shtetit për turneun evropian.

Zoti Sikorski u tha më pas gazetarëve, se në takim ishin shkëmbyer disa ide produktive. Ai tha po ashtu, se nuk kishte ardhur në Washington për “shpëtimin” e bisedimeve të mbrojtjes nga raketat, përderisa negociatat kanë vazhduar dhe do të vazhdojnë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shon Mekormak tha se Ministri i Jashtëm polak do të takohet gjithashtu me negociatorin kryesor amerikan të armëve, John Rood dhe se rruga për arritjen e një marrëveshjeje mbetet e hapur:


"Ne po vazhdojmë të punojmë për këto negociata. Nuk i përfunduam dot ato në kohë, para fillimit të turneut evropian të Sekretares Rice. Por kjo nuk do të thotë se nuk do t’i vazhdojmë përpjekjet. Kjo është një çështje e rëndësishme për Poloninë. Është e rëndësisheme dhe për SHBA-në, ashtu sikurse edhe për NATO-n, që ka dhënë miratimin e vet për këtë përpjekje të mbrojtjes nga raketat, prandaj ne do të vazhdojmë të punojmë për të."

Negociatat kanë qenë të vështira, në kushtet kur Polonia ka kërkuar një modernizim të kushtueshëm të sistemit të vet të mbrojtjes ajrore nga ana e Shteteve të Bashkuara, si kusht për pranimin e raketave interceptuese në territorin e vet.

Zyrtarët amerikanë thanë javën e kaluar, se ishte arritur një marrëveshje paraprake, por Kryeministri polak Donlad Tusk pati thënë më vonë se oferta amerikane nuk ishte kënaqeshme.

Plani për mbrojtjen nga raketat nuk gëzon popullaritet në Poloni dhe në Republikën Çeke, ndërsa Rusia e ka kundërshtuar me forcë vendosjen e këtij sistemi në Evropë, duke thënë se ai mund të minojë terrenin strategjik të sistemit të saj të raketave, gjë që SHBA e kundërshtojnë.

Po ashtu, një pjesë e madhe e ligjvënësve demokratë në Kongresin amerikan e kanë kritikuar sistemin, duke e akuzuar administratën e Presidentit Bush se po nxitohet me vendosjen e sistemit me teknologji të paprovuar.

Sipas ligjit amerikan të debatuar kohët e fundit, financimi i programit që përfshin sistemin e mbrojtjes nga raketat, do të kushtëzohej nga garancia që do të jepte Pentagoni, që interceptorët e raketave t’u jenë nënshtruar provave rigoroze.//lk


XS
SM
MD
LG