Lidhje

Dobins: Suksesi i Kosovës do të varet tek zhvillimi i ekonomisë, qeverisja e mirë dhe zbatimi i ligjit


Qeveria e Kosovës duhet të punojë më shumë për të bindur vendet që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës ta pranojnë realitetin e ri. Kështu shprehet eksperti politik, ambasadori Xhejms Dobins, ish i dërguar i posaçëm i administratës së presidentit Bill Klinton në Kosovë. Zoti Dobins shton se tani për Kosovën është më i rëndësishëm përqendrimi tek ekonomia, qeverisja e mirë dhe zbatimi i ligjit sesa anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare.


Deri tani, shteti i ri i Kosovës është njohur zyrtarisht nga 43 vende të botës. Drejtori i Qendrës për Siguri Ndërkombëtare dhe Politikat e Mbrojtjes në korporatën Rand, Xhejms Dobins thotë se megjithëse qeveria e Kosovës ka qenë deri diku e suksesshme në këtë aspekt, ajo duhet të jetë akoma më aktive për njohjen e shtetit të ri nga vendet më të largëta që nuk janë shumë të njohura me çështjen e Kosovës.

"Mendoj se ata duhet të jenë më aktivë, dhe mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë evropiane janë të gatshme t'i ndihmojnë ata dhe të përdorin edhe ndikimin e tyre gjithashtu. Por, sidoqoftë, Kosova duhet të bëjë punën e saj në këtë aspekt."

Megjithë shpalljen e pavarësisë, serbët në Kosovë, të mbështetur nga Beogradi, vazhdojnë të mbajnë strukturat e tyre paralele. Zoti Dobins thotë se megjithëse nuk ka të ngjarë që Prishtina të përpiqet të ushtrojë forcë për eliminimin e këtyre strukturave, autoritetet e Kosovës nuk do t'i lejojnë ato të konsolidohen më tej.

"Mendoj se do të shohim një farë status quo-je, ndërkohë që të dy palët përpiqen të manovrojnë. Pra, komuniteti ndërkombëtar dhe qeveria e Kosovës do të vazhdojë zgjerimin e autoritetit të tyre, ndërsa serbët do të vazhdojnë t'i rezistojnë atij. Por mendoj se të dy palët do të tregojnë vetëpërmbajtje dhe do të lënë që këto çështje të zgjidhen përmes mjeteve politike dhe ekonomike."

Rusia nga ana e saj vazhdon të kundërshtojë me këmbëngulje pavarësinë dhe kjo në një farë mënyre ndikon në njohjen e Kosovës nga vende të tjera të botës. Megjithatë, zoti Dobbins thotë se vendet më të rëndësishme të Europës e kanë njohur Kosovën dhe kjo ka rëndësi meqenëse Europa, Kombet e Bashkuara dhe NATO-ja do të vazhdojnë ta mbrojnë Kosovën dhe të nxisin zhvillimin e saj.

"Mendoj se kundërshtimi rus ka një farë ndikimi dhe ndoshta bën që disa vende të hezitojnë ta njohin Kosovën, por mendoj se shumica e vendeve që janë të rëndësishme për Kosovën e kanë njohur atë. Gjithashtu është e qartë se e ardhmja e Kosovës është në Europë."

Po a mund të jetë Kosova një shtet funksional pa u anëtarësuar në disa nga organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, si për shembull Kombet e Bashkuara?

"Rusët bllokuan anëtarësimin e Gjermanisë Perëndimore në Kombet e Bashkuara për disa vite me radhë deri sa u arrit një kompromis. Por megjithatë, Gjermania Perëndimore edhe para se të ndodhte kjo u zhvillua mjaft mirë pavarësisht se nuk ishte anëtare e OKB-së."

Suksesi i Kosovës do të varet tek zhvillimi i ekonomisë së saj dhe tek zotësia për të treguar aftësinë për qeverisje dhe zbatimin e ligjit. Këto, thotë zoti Dobins janë për momentin më të rëndësishme për Kosovën sesa anëtarësimi në OKB.

Ndërkohë, formimi i një qeverie koalicioni në Serbi e cila ka përparësi integrimin në Bashkimin Europian është tregues i mirë për të ardhmen e këtij vendi, megjithë tensionet brenda platformës qeveritare në lidhje me çështjen e Kosovës.

"Platforma e qeverisë për Kosovën nuk përputhet plotësisht me platformën për Europën dhe kjo do të bëhet edhe më e dukshme me kalimin e kohës. Megjithatë, kjo do të jetë çështje që do të krijojë pa dyshim një pikë të rëndësishme dialogu mes Serbisë dhe Bashkimit Europian."

Si Kosova ashtu edhe Serbia aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Dhe nëse kjo do të ndodhte, debatet për njohjen do të merrnin fund meqenëse kufijtë nuk do të ekzistonin më. Problemi është se si mund të arrijnë Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në BE duke marrë parasysh qëndrimet e ndryshme të Bashkimit Europian, i cili mendon se Kosova nuk duhet ndarë, dhe qendrimit serb, i cili duket se tani e ka pranuar pak a shumë se pjesa më e madhe e Kosovës është e humbur.

"Unë e shoh këtë si një burim të vazhdueshëm fërkimesh, por edhe si burim të vazhdueshëm dialogu. Dhe nëse Kosova dhe Serbia arrijnë deri në fazën e anëtarësimit të plotë në BE, gjë që mund të marrë edhe një dekadë, mendoj se dialogu do të jetë ai që do të zgjidhë mosmarrëveshjet e mbetura." //bsa//


XS
SM
MD
LG