Lidhje

Grupi kolumbian rebel "Farc" në krizë të thellë


Pas misionit dramatik për shpëtimin e 16 pengjeve nga ushtria kolumbiane javën që kaloi, shumë analistë po fillojnë të flasin rreth mundësisë së një krize mes një prej grupeve guerile më të vjetra në botë. Disa thonë se ky është fillimi i fundit të grupit rebel që u themelua rreth 40 vjet më parë.


Misioni i shpetimit javën e kaluar është cilësuar si një moment turpi për grupin marksist Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, FARC. Pa u shkrehur asnjë pushkë, zyrtarët kolumbianë të zbulimit arritën të mashtronin rebelët për dorëzimin e 15 pengjeve në xhunglën kolumbiane. Ekspertët dhe analistët thonë tani se ata shohin një krizë brenda grupit më të vjetër guerile në Amerikën Latine. Patrik Esteruelas i organizatës Euroasia thotë se grupi FARC mund të jetë duke u shkatërruar.

"Ky është fillimi i fundit të grupit guerile FARC."

Grupi FARC i ka fillimet në vitin 1964 si një ushtri kryengritëse marksiste. Burimet financiare fillimisht i siguronte duke grabitur pronarët e mëdhenj të tokave dhe baronët e drogave që sapo lindnin. Nga viti 1980, FARC filloi të taksonte fermerët dhe baronët e drogës duke u ofruar atyre mbrojtje, çka mundësoi shtimin e ushtrisë dhe blerjen e armatimeve.

Brenda pak vitesh FARC u bë partnere me baronët e drogës. Sipas vlerësimit të ekspertëve, rreth 60 deri 90 përqind e të ardhurave të FARC-ut vijnë nga biznesi i drogës. Adam Isakson i Qendrës për Politika Ndërkombëtare thotë se pjesa e grupit FARC që vepron afër Venezuelës merret vetëm me drogë.

"Ata janë të përfshirë në të gjithë procesin, që nga taksat për rritësit e drogave, tek blerja e lëndës së parë, prodhimi i drogave e deri tek transporti brenda vendit dhe në disa raste edhe jashtë tij. Por këtu nuk e dimë se sa thellë kanë depërtuar. Kemi degjuar që FARC-u ka kontakte edhe me kartelët meksikanë të drogës. "

Zoti Isakson thotë se afro 20 përqind e të ardhurave të FARC-ut vijnë nga marrja e pengjeve. Grupi me 70 celula momentalisht ka 700 pengje dhe ka të ardhura që llogariten në disa miliona dollarë, thotë analisti.

"Do të thoja së paku gjysëm miliardi dollarë në vit."

Me afro 18 mijë pjestarë, zoti Isakson thotë se grupi rebel FARC po përballet me vështirësi ekonomike dhe politike që vihet re me dezertimin e qindra rebelëve këtë vit.

Disa miliarda dollarë ndihma amerikane e kanë ndihmuar qeverinë kolumbiane që të penetrojë dhe çorientojë operacionet e FARC-ut. Ka patur arrestime dhe atentate. Vetëm në muajt e fundit, themeluesi i organizatës vdiq dhe dy udhëheqës të lartë janë vrarë. Fushata qeveritare prishi lidhjet e komunikimit mes qendres dhe celulave. Eduardo Gamarra i Universitetit Ndërkombëtar të Floridës thotë se synimi i fondeve ameriane ishte zhdukja e prodhimit të drogës.

"Investimi fillimisht synonte bllokimin e hyrjes së drogës në Amerikë. Po ta shikosh ne tërësi ai plan nuk funksionoi. Por nëse e shikon në planin e eliminimit të një forcë guerile madhore, organizatën më të rëndesishme të trafikut të drogës, atëherë ky është një sukses i madh."

Sipas Kombeve të Bashkuara, prodhimi i bimës coca, nga ku nxiret kokaina, u rrit me afro 27 përqind vitin e kaluar. Por Patrik Esteruelas thotë se FARC-u mund të jetë në krizë.

"FARC-u nuk ka shumë alternativa. Tani me zor po ia dalin të mbijetojnë dhe as bëhet fjalë të organizojnë kryengritje."

Analistët kolumbianë dhe anketat e opinionit publik tregojnë se grupi FARC gëzon një mbështetje prej më pak se 1 përqind. Por ndërkohë që shumë janë dakord se FARC-u ka humbur anëtarë dhe përballet me një nga momentet më të vështira të tij, ata gjithashtu paralajmërojnë se organizata është ende larg shkatërrimit total. //bsa//


XS
SM
MD
LG