Lidhje

Bruksel: Shqipëria dhe Kroacia do të firmosin protokollet e anëtarësimit në NATO

  • Armand Mero
  • Tiranë

Shqipëria pritet të firmosë sot në Bruksel së bashku me Kroacinë, protokollet e anëtarësimit në Nato. Javën e shkuar Tirana përfundoi bisedimet me Aleancën, të cilat pasuan marrjen e ftesës në 3 prill, gjatë takimit të nivelit të lartë në Bukuresht. Akti i sotëm mbyll përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në gjirin e Aleancës së Atlantikut dhe tashmë mbetet vetëm ratifkimi i protokolleve nga vendet anëtare, që ajo të quhet anëtare me të drejta të plota.

Përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Kroacisë do të ulen që sot në tryezën e rrumbullakët të Natos, ndonëse ende pa të drejtë vote. Të dyja vendet ballkanike, të cilat u ftuan të bëhen pjesë e Aleancës 3 muaj më parë në Bukuresht, sot finalizojnë përpjekjet e tyre disa vjeçare. Pasi kanë përfunduar edhe tre raundet e bisedimeve që pasuan marrjen e ftesës, do të firmosin protokollet e anëtarësimit. Një akt i cili në vetvete shënon realizimin nga ana e të dy vendeve të detyrimeve për të qenë vend anëtar. Hapi i fundit, por që nuk lidhet më me asnje përmbushje angazhimi tjetër, është thjesht ratifikimi i protokolleve nga të gjitha vendet anëtare.

Në ndryshim nga proceset e integrimit europian, ratifikimi i protokolleve të anëtarësimit në Nato parashikohet të mbyllen brenda pjesës së parë të vitit të ardhshëm. Kjo sepse në ndryshim nga më parë kur distanca kohore nga një takim në tjetrin është 2 vjet, takimi i radhës është parashikuar në pranverën e 2009 i cili do të shënojë edhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë. Jashtë këtij procesi deri më tani ka mbetur Maqedoia për shkak të problemit ende të pazgjidhur të emrit dhe sa më shumë kohë kalon aq më shumë vështirësohet perspektiva e saj për t'iu bashkuar Shqipërisë dhe Kroacisë me të cilat ka qenë bashkëudhëtare.

Më shumë se sa një arritje e standarteve të kërkuara Shqipëria, sipas njohësve të Aleancës, u favorizua edhe nga konjukturat gjeopolitike dhe interesi i Aleancës për t'u zgjeruar në një territor deri me dje mjaft problematik. Megjithatë, vecanërisht për Shqipërinë ky proces, ashtu siç dhe është vlerësuar, ka një peshë historike. Një Shqipëri anëtare e Natos do të thotë një imazh pozitiv për të, një imazh që ngjall siguri dhe që pritet të ketë ndikime pozitive edhe ekonomike.

Por cilat janë procedurat që do të ndiqen sot?

Fillimisht, do të ketë një takim mes Sekretarit të Përgjithshëm të Natos Jaap de Hup Shefer dhe ministrave të jashtëm shqiptar dhe kroat. Në orën 10:15 fillon mbledhja e Këshillit të Atlantikut të Veriut, ku pas fjalimeve nga Sekretari i Përgjithshëm Shefer, Dekani i Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Kroacisë, do të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të Protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Do të pasojë në orën 11:00, konferenca për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s së bashku me ministrat e jashtëm të Shqipërise dhe Kroacisë. Në orën 12:00 Këshilli i Atlantikut të Veriut fillon mbledhjen e tij të rregullt. Ndonëse ende pa të drejtë vote, Shqipëria dhe Kroacia do marrin pjesë për herë të parë në këtë mbledhje.//lk


XS
SM
MD
LG