Lidhje

Gates: Provat me raketa të Iranit nuk çojnë në konfrontim ushtarak me këtë vend


Sekretari amerikan i Shtetit, Robert Gates, thotë se provat e raketave të kryera nga Irani janë edhe një dëshmi tjetër për domosdoshmërinë e sistemit mbrojtës nga raketat në Evropë, por ai thekson se këto prova nuk e bëjnë më real një konfrontim ushtarak me Iranin. Korrespondenti ynë Al Pessin nga informon nga Pentagoni.

Sekretari Gates thotë se prova iraniane dëshmon për kapacitetin e fuqishëm të rakektës Shahab 3 të Iranit, por shtoi se nuk mund të jepte hollësi për këtë. Versionet e mëparëshme të kësaj tip raketeve, besohet të kenë një rreze veprimi prej rreth 2 mijë kilometrash, pra mund të fluturijnë nga pjesa perëndimore e Iranit në brigjet perëndimore të Detit të Zi.

Sekretari Gates tha se kjo provë shërben si mbështetje për pikpamjen amerikane se Evropa ka nevojë për një sistem mbrojtës nga raketat iraniane.

"Ky është një fakt që u përgjigjet deklaratave të Rusisë se Irani nuk do të ketë në raketë balistime me rreze më të gjatë veprimi brenda 10 apo 20 vjetësh. Fakti është se iranianët e kanë një raketë me reze mjaft të gjatë veprimi. Pra për mendimin tim është pikërisht ajo që ne e kemi thënë prej kohësh në mbështetje të vendosjes së sistemit mbrojtës në Evropë, se ekziston një rrezik real nga Irani. Dhe mua më duket se prova e kryer dje në mëngjes nga Irani e vërteton këtë".

Të martën, Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, dhe homologu i saj çek nënshkruan një marrëveshje për instalimin e një radari interceptues kundër raketave në Republikën Çeke. Bisedimet dhe Poloninë për vendin e vendosjes së sistemit kundër raketave duket se kanë ndeshur një vështirësi të reja, por një zyrtar i Pentagonit tha se po "zhvillohen diskutime intensive" dhe se "po bëhet përparim i mirë".

Provat e raketave të Iranit u shoqëruan me një retorikë të ashtpër. Shefi i Gardës Revolucionare të Iranit tha se arsenali i raketave të vendit të tij është në gatishmëri për të hapur zjarr "në çdo kohë, dhe shpejtësi dhe me saktësi" dhe se "objektivat e armikut janë nën vërrejtje". Të martën, një tjetër zyrtar iranian tha se luftanijet izraelite dhe amerikane në Gjirin Persik do të vihen në shënjestër, në qoftë se Irani sulmohet.

I pyetur nëse këto deklarata dhe provat e djeshme iraniane me raketa, e bëjnë një konfrontim ushtarak me Iranin më të mundëshëm, Sekretari Gates u përgjegj se nuk beson të jetë kështu.

"Ka mjaft mesazhe që qarkullojnë. Por për mendimin tim, të gjithë i kanë të qarta pasojat e një konflikti të tillë. Do të doja t'ju thosha se kjo qeveri po punon me këmbëngulje në aspketet diplomatike dhe ekonomike me Iranin dhe po përpiqet ta bëjë qeverinë iraniane të ndryshojë kursin e politikës së saj. Është pikërisht kjo strategji dhe taktikë që vazhdon të dominojë në qendrimin tonë ndaj kësaj çështjeje".

Shqetësimet rreth raketave të Iranit janë shtuar për shkak të përpjekjeve të tij për të ndërtuar armë bërthamore. Prandaj vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkura dhe Gjermania po përpiqen që t'i bindin udhëheqësit iranianë ta braktisin këtë ambicje.

XS
SM
MD
LG