Lidhje

Doktor Galo dhe zbulimet e tij në fushën e mjekësisë


Doktor Robert Galo konsiderohet si një nga shkencëtarët më të mirë në Shtetet e Bashkuara. Ai është studiuesi i biologjisë dhe mjekësisë që ka bërë zbulimet e viruseve të cilat shkaktojnë leuçeminë dhe Sidën. Zbulimet e tij i kanë hapur rrugën një studimi tjetër për llojin e virusit që shkakton disa forma të kancerit tek njerëzit.

Doktor Robert Galo, studiues i virusit HIV.

"Ai ndryshon botën tuaj."

Kjo është një ditë e zakonshme pune për një nga studiuesit më të mirë amerikanë të mjekësisë.

Duke filluar me udhëtimin e tij prej 45 minutash për në zyrë, doktor Galo vazhdon të punojë shumë ndonëse kanë kaluar 30 vjet nga zbulimi i tij i madh i virusit që shkakton leuçeminë.

Puna e tij çoi më vonë në zbulimin e virusit që shkakton Sidën. Ai krijoi gjithashtu analizën e gjakut për virusin HIV.

Para 10 vjetësh, doktor Galo dhe dy shkencëtarë të tjerë themeluan Institutin e Virologjisë Njerëzore në Baltimore, për studimin dhe trajtimin mjekësor të virusit HIV. Synimi i këtij instituti është t’i japë fund sidës.

Doktor Galo është nderuar me më shumë se 80 çmime në fushën e mjekësisë dhe 30 grada nderi. Megjithatë, kur e pyesin se cila është arritja e tij më e madhe, zbulimi i Sidës nuk bën pjesë në listën e tij.

“Personalisht, gjëja më e rëndësishme për mua ka qenë zbulimi i virusit që shkakton leuçeminë HTLV-1, sepse ai ishte një ndër viruset e para që tregonte se ishte shkaktari i kancerit.”

Motra e doktor Galos ka vdekur nga leuçemia kur ishte fëmijë. Ai thotë se e filloi jetën si studiues pas gjashtë muajsh të dhimbshëm si mjek kur mjekonte fëmijët me leuçemi.

“T’i shihje ata fëmijë të vdisnin, ndërsa kujdeseshe për ta ishte një gjë e tmerrshme dhe më bëri që të mos doja të shihja më pacientë. Dhe ashtu ka ndodhur.”

Shkencëtarët kanë debatuar me vite rreth punës së doktor Galos mbi virusin në vitin 1984. Edhe një shkencëtar francez tha se e kishte bërë zbulimin në atë kohë. Debati mori fund kur doktor Gallo dhe doktor Luk Montanje nga Instituti Pastër i Parisit u deklaruan si bashkë-zbulues.

“Kjo është fotografi e doktor Montanjesë. Këtu jemi në Kamerun të Afrikës. Dr. Montanje ka një fondacion dhe unë jam në bordin e tij, por ai është edhe anëtar i këtij instituti.”

Në shtëpinë e tij, doktor Galo ndodhet i rrethuar nga kujtime të zbulimeve të tij dhe çmime të ndryshme. Gruaja e tij Mary Jane flet për një jetë plot udhëtime dhe takime me udhëheqës botërorë.

“Ne jemi njohur 50 vjet më parë. E jashtëzakonshme!”

Shkencëtari 71-vjeçar i jep fund ditës së tij në fushën e tenisit me një mik dhe koleg, Xho Brajant, i cili bën shaka me doktor Galon për mënyrën si e godet topin dhe për shpirtin e tij konkurues. Doktor Gallo flet për trashëgiminë që mund të lërë pas.

“Ndoshta si njeri që kam punuar për të zhdukur Sidën, por unë nuk mendoj se do të jem pjesë e kësaj.”

Ata që e njohin thonë se njerëzit do të kujtojnë personalitetin e tij të fortë dhe vendosmërinë e patundur. //bsa//

XS
SM
MD
LG