Lidhje

Ti Bun Pikens dhe investimet në energjinë e prodhuar nga era


Miliarderi nga Teksasi Ti Bun Pikens ka një plan për të ulur varësinë e Shteteve të Bashkuara nga nafta. Zoti Pikens, cili e vuri pasurinë e tij nga nafta, thotë se mënyra më e mirë për të eliminuar varësinë e vendit nga importi i naftës është që ky burim energjie të zëvëndësohet me erën, e cila gjendet me shumicë në Shtetet e Bashkuara.

Kriza e naftës në Shtetet e Bashkuara është serioze dhe siç thotë një nga njerëzit më të pasur të botës, çmimet e larta të benzinës do të vazhdojnë të qëndrojnë në këto nivele për shumë kohë.

Ti Bune Pikens është aq i sigurt se mund ta zgjidhë krizën e energjisë sa që po shpenzon 58 milion dollarë për të bërë një fushatë të madhe e cila ka për objektiv uljen 30% të përdorimit të naftës që importojnë Shtetet e Bashkuara dhe që arrin në mbi 700 miliardë dollarë në vit.

”Ne e kemi futur veten në kurth. Kush na e bëri këtë? E kemi bërë vetë. Nuk duhet të fajësojmë askënd tjetër veç vetes. Një gjë është e sigurt se ne nuk kemi pasur kurrë një plan energjie në Shtetet e Bashkuara."

Plani i zotit Pikens është të shfrytëzojë fuqinë e erës, e cila në pjesët qendrore të Shteteve të Bashkuara është mjaft e fortë për të prodhuar energji elektrike. Kjo thotë ai jo vetëm do të krijonte mijëra vende të reja pune por do të krijonte kushtet që një sasi e gazit natyror të shfrytëzohet për gjëra të tjera si transporti. Aktivistët e mbrojtjes së mjedisit si Fred Krup, e përkrahin plotësisht këtë plan.

”Është diçka vërtet dramatike kur një manjat nafte nga Teksasi thotë se duhet të ulim përdorimin e naftës. Ka ardhur vërtet koha që Amerika të veprojë."

Ekspertët e energjisë thonë se elementi i vetëm që i mungon planit të milionerit Pikens është transmetimi dhe shpërndarja e energjisë së prodhuar nga era në pjesë të tjera të vendit. Por zoti Pikens thotë se pikërisht për këtë arsye Uashingtoni duhe të lëvizë dhe të hartojë një plan gjithpërfshirës, i cili të mos përqendrohet vetëm te energjia e erës por edhe te burime të tjera.

”Problemi këtu nuk është që të merret vetëm një burim i cili i shërben vetëm një investitori por t’u krijojë kushte përparimi edhe teknologjive të tjera, t’u krijojë mundësi mijëra investorëve të fusin paratë e tyre në transformimin e sistemit tonë të energjisë."

Pak më parë, zoti Pikens njoftoi një plan për të investuar rreth 10 miliardë dollarë për ndërtimin e një ferme për prodhimin e energjisë nga era në Teksas. Ai mohon se po e bën këtë për qëllime fitimi. Me një pasuri prej mbi 4 miliardë dollarësh, 80 vjeçari Ti Bun Pikens thotë se nuk ka më nevojë për para. //bsa//


XS
SM
MD
LG