Lidhje

Shtohen debatet për një fushatë të mundshme ushtarake kundër Iranit


Një debat i gjerë ka përfshirë Uashingtonin dhe Lindjen e Mesme kohët e fundit, lidhur me mundësinë e një sulmi ushtarak në përgjigje të programit bërthamor të Iranit. Retorika ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit është ashpërsuar, ndërkohë që ekspertë ushtarakë dhe politikë analizojnë pasojat e mundshme.

Fuqitë botërore po i bëjnë presion Iranit të ndalë programin për pasurimin e uraniumit dhe kanë ofruar një numër stimujsh për qeverinë iraniane për ta nxitur të heqë dorë nga programi që mund të çojë në prodhimin e armëve bërthamore.

Por zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Pentagon thonë se Irani po vazhdon në këtë rrugë, megjithëse ka parashikime të ndryshme për kohën kur Teherani mund të jetë në gjendje të prodhojë të gjitha komponentët e një bombe atomike.

Presidenti amerikan Xhorxh Bush ka theksuar vazhdimisht angazhimin e tij ndaj diplomacisë si preferenca e parë në përpjekjet për të ndalur programin bërthamor të Iranit, megjithatë ai nuk ka pranuar të përjashtojë mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake.

"E kam përsëritur vazhdimisht se të gjitha opsionet janë të hapura. Por opsioni i parë i Shteteve të Bashkuara është të zgjidhë këtë problem në rrugë diplomatike."

Debatet mbi një fushatë ushtarake kundër Iranit janë shtuar javët e fundit dhe kanë marrë tone shumë të nxehta.

Askush nuk ka parashtruar një afat kohor për fushatë ushtarake. Por ish-zyrtarja e Departamentit amerikan të Shtetit Elizabet Cheney, njëra nga vajzat e nënpresidentit Cheney, në një forum mbi Iranin tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë që Irani të shndërrohet në fuqi bërthamore:

"Nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë. Ky është një kërcënim ekzistencial ndaj Izraelit. Ky është një kërcënim madhor ndaj sigurisë kombëtare të Amerikës."

Ndërkohë që debatohen masa të mundshme ushtarake kundër Iranit, në Lindjen e Mesme vazhdojnë operacione të tjera.

Forcat e marinës amerikane dhe të aleatëve të tyre sapo përfunduan një seri manovrash ushtarake në Gjirin Persik. Flota e Pestë e Marinës Amerikane, e stacionuar në Bahren, thotë se manovrat kanë për synim të mbrojnë investimet për nxjerrjen e naftës.

Një zyrtar i lartë iranian kërcënoi kohët e fundit se Teherani do të mbyllë korridoret strategjike detare të naftës ndërkohë që Garda Revolucionare e Iranit është e angazhuar në manovra të hapura stërvitore.

Teherani po vë gjithashtu në provë raketa balistike dhe zyrtarët iranianë thonë se këto armë mund të arrijnë deri në territorin e Izraelit apo të aleatëve të tjerë amerikanë në rajon.

Muajin e kaluar Forca Ajrore izraelite zhvilloi manovra të gjera që sipas disa analistëve dukeshin si përgatitje për sulme të mundshme kundër objekteve bërthamore të Iranit.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politikat e Lindjes së Afërme, në Uashington, Robert Satlof, thotë se Irani me armë bërthamore do të ishte një katastrofë:

"Një gjë e tillë do të nxiste një garë armatimesh në Lindjen e Mesme. Kjo mund të çonte ndoshta edhe në pajisjen e terroristëve me armë të tilla, gjë që përbën kërcënim të madh. Për Izraelin, rreziku është edhe më i madh. Ky është një regjim, ku udhëheqësit kanë deklaruar hapur synimet për të shkatërruar shtetin izraelit dhe po angazhojnë pasurinë kombëtare për të siguruar armët që ta vënë në zbatim këtë kërcënim."

Irani mohon akuzat se ka një program për prodhimin e armëve bërthamore dhe thotë se po pasuron uranium për të prodhuar energji.

Teherani i është përgjigjur paketës së nismave të paraqitur nga Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e BE-së shpresojnë se brenda këtij muaji mund të rifillojnë negociatat.

Ministri i Jashtëm iranian Manuçer Motaki thotë se nuk mendon se do të plasë lufta ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara ose Izraelit:

"Qeveria izraelite ndeshet me një krizë politike në gjirin e saj dhe në rajon, prandaj nuk parashikojmë se ky regjim do të zgjidhte një alternativë të tillë të çmendur. Shtetet e Bashkuara, nga ana e tyre, nuk janë në gjendje të ndërmarrin një sipërmarrje tjetër të rrezikshme në rajon."

Ndryshe nga goditjet e izoluara të Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Irakut në vitin 1981, dhe vjet të Sirisë, sipas analistëve sulmet ndaj objekteve iraniane do të ishin më të ndërlikuara.

Në kushtet e vazhdimit të luftës amerikane në Irak dhe Afganistan, Shefi i Shtatmadhorisë Mike Mullen, në përgjigje të pyetjes për një sulm të mundshëm izraelit, paralajmëroi javën e kaluar që të mos ndërmerren akte destabilizuese:

"Hapja e një fronti të tretë do të ishte ngarkesë tejet e madhe për ne. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi kapacitetin apo rezervat e nevojshme, por do të ishte një sfidë shumë e madhe. Përveç kësaj, pasojat e një ndërhyrjeje të tillë shpesh janë të paparashikueshme."

Këto pasoja ka të ngjarë të përfshijnë masa hakmarrëse nga Irani. Zyrtatët thonë se Izraeli dhe flota amerikane në Gjirin Persik mund të jenë objektet e para të sulmeve iraniane. Analistët ushtarakë thonë se një sulm ndaj Iranit do të kërkonte që fillimisht të ndërmerrej një fushatë e pandërprerë ushtarake dhe më pas të goditeshin objektet bërthamore. //bsa//

XS
SM
MD
LG