Lidhje

Rritja e çmimit të ushqimeve nga prodhimi i biokarbureve


Një studim i pavarur i biokarbureve ka arritur në përfundimin se prodhimi i këtij burimi alternativ energjie ka kontribuar në rritjen e çmimeve të ushqimit. Ai thotë madje se biokarburet mund të rrisin sasinë e gazeve që shkaktojnë efektin serë në vend që ta ulin atë. Siç njofton korrespondenti Tendai Mephosa nga Londra, ky është vetëm një prej shumë raporteve që shpreh shqetësim dhe bën thirrje për rishikimin e çështjes së biokarbureve.

Studimi Gallager, i financuar nga qeveria britanike, arrin në përfundimin se Britania nuk duhet të heqë dorë nga biokarburet, por duhet të ngadalësojë prodhimin dhe përdorimin e tyre. Studimi këshillon që të kihet kujdes deri sa të përcaktohen politika të qarta ndërkombëtare. Kritikët thonë se pyjet tropikale dhe pjesë të botës në zhvillim mund të pësojnë efektin e kundërt nga toka që mund të kthehet nga tokë për prodhime ushqimore në tokë për prodhime energjie.

Qeveria Britanike i ka pranuar rekomandimet e raportit. Sekretari i Transportit Ruth Kelli mbajti një fjalim para parlamentit për këtë çështje.

"Profesori Gallager arrin në përfundimin se ekziston rreziku që zgjerimi dhe përdorimi i pakontrolluar i biokarbureve mund të çojë në ndryshime të paqendrueshme të përdorimit të tokës, si shkatërrime të pyjeve tropikale për t'u përdorur si toka bujqësore."

Raporti i hedh poshtë thirrjet për një ndalim të përkohshëm duke thënë se një gjë e tillë do të ulte mundësinë e industrisë së biokarbureve të investonte në teknologji të reja, më të mira. Ai shton gjithashtu se ndalimi i përkohshëm do ta bënte më të vështirë realizimin e potencialit afatgjatë të biokarbureve.

Grupi kundër varfërisë Action Aid është një nga organizatat që bën thirrje për një ndalim të përkohshëm. Në një raport të fundit të titulluar "Kriminelët e drithërave" grupi thotë se biokarburet kanë rritur çmimin e ushqimit me 30 përqind. Grupi bën thirrje për një pezullim pesë-vjeçar, për t'i dhënë fund subvencioneve ndaj atyre që rrisin prodhime bujqësore për karburant dhe për të investuar më shumë në burimeve alternative të energjisë.

Zëdhënësja e organizatës Action Aid për biokarburet Kler Melamed i tha Zërit të Amerikës se megjithëse agjencia e mirëpret thirrjen e raportit Gallager për t'u treguar të kujdesshëm, ajo është e zhgënjyer.

"Ne prisnim një përgjigje më të fuqishme duke pasur parasysh të dhënat. Ne mendojmë se duhet të ndalojmë prodhimin e biokarbureve tani dhe ta mendojmë nga e para nëse mund të prodhojmë biokarbure që ulin çlirimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë pa shkaktuar urinë tek miliona njerëz."

Britani ka pranuar një vendim të Bashkimit Europian i cili kërkon që e gjithë benzina dhe nafta që shitet në vend të ketë pesë përqind përmbajtje biokarburesh deri në vitin 2010, dhe 10 përqind deri në vitin 2020. Për ta arritur këtë, duke filluar që nga ky vit 2,5 përqind e gjithë benzinës dhe naftës së shitur në Britani vjen nga prodhimet bujqësore. Megjithatë, Sekretari i Transportit Ruth Kelli thotë se për shkak të studimit Gallager tani të gjithë këta objektiva po rishqyrtohen.

Ferran Tarradelas është zëdhënësi i BE-së për energjinë. Ai thotë se nuk ka prova që lidhin biokarburet me çmimet e larta të energjisë.

"Prodhimit bujqësor që i është rritur çmimi më tepër është orizi, por nga orizi nuk prodhohet as edhe një pikë biokarbure. Ne e kemi llogaritur se për të arritur objektivin tonë ne na duhet katër milionë ton prodhime bujqësore në vit deri në 2020-ën. Tregu global i drithërave është 2,200 milion ton, prandaj unë nuk e kuptoj se si kjo gjë mund të ketë ndonjëfarë ndikimi."

Biokarburet prodhohen kryesisht nga prodhimet bujqësore si misri, sheqeri dhe vajrat bimore.

Në fillim të këtij muaji, e përditshmja The Gurdian, duke cituar një raport jopublik të Bankës Botërore thoshte se biokarburet kanë bërë që çmimet e ushqimeve të rriten deri në 75 përqind. Raporti, thotë gazeta The Gurdian, është i bazuar në atë që ata e quajtën, analiza më e hollësishme e krizës deri tani e bërë nga një prej ekonomistëve më të respektuar në institucionin e respektuar financiar global.

Zëdhënësi i BE-së, Tarradela, thotë se ai e ka një kopje të raportit të Bankës Botërore, por thotë se The Gurdian i ka keqinterpretuar faktet.

Biokarburet, ndryshimi i klimës dhe çmimet globale të ushqimeve kanë qenë të gjitha pjesë të programit në takimin e Grupit të Tetëshes në Japoni. Në takim, presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellik tha se biokarburet kanë kontribuar në rritjen e çmimeve të ushqimit. Ai veçoi kryesisht karburantet e prodhuara nga misri dhe një lloj vaji bimor të prodhuara në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Europian. //ad//

XS
SM
MD
LG