Lidhje

Disa mjekë rekomandojnë ilaçe kundër kolesterolit tek fëmijët


Një grup pediatrësh amerikanë thonë se disa fëmijë që e kanë të lartë kolesterolin duhet të mjekohen me ilaçe për uljen e kolesterolit. Disa mjekë të tjerë janë kundër këtij rekomandimi, të tjerë e mbështesin atë. Pa dyshim, që kjo çështje ka nxitur debate të fuqishme.

Si miliona njerëz në mbarë botën, Connor Kroll mjekohet me Lipitor, një ilaç që ul kolesterolin. Dhe si shumë të tjerë, tani ai e ka nën kontroll të ashtuquajturin kolesterolin e keq, të rrezikshëm, që dikur e kishte të lartë. Por Kroll nuk është një pacient tipik. Ai është vetëm 16 vjeç dhe ka 4 vjet që mjekohet me Lipitor. Nëna e tij thotë se ilaçi ishte mjeti i fundit për uljen e kolesterolit: "Nuk më pëlqen shumë të përdor ilaçe, por asgjë nuk ia ulte djalit kolesterolin. Ajo i pati filluar Konorit një dietë të fortë, por pa rezultat."

Lipitori është një nga ilaçet e tipit statinë. Statinat kanë vetinë të ulin kolesterolin dhe masën pllakëzave në arterie, duke pakësuar kështu rrezikun për goditje në zemër.

Obeziteti është njëri nga faktorët e rrezikshëm, që shoqërohet edhe me kolesterolin e lartë. Një e treta e fëmijvë në Shtetet e Bashkuara janë mbi peshë dhe 17 për qind janë obezë. Obeziteti në vitete e fëmijërisë është një problem që po shtohet në shumë vende të botës, qofshin të pasura, apo të varfëra.

Tani Akademia e Pediatrëve amerikanë po bën thirrje që fëmijëve t'u bëhen analizat e kolesterolit, sidomos atyre që kanë disa nga faktorët që e shkaktojnë atë, si obeziteti, apo trashëgimia familjare për sëmundjet e zemrës.

Grupi i pediatrëve rekomandon që fëmijët, që e kanë kolesterolin të lartë, që në moshën 8 vjeçare, të mjekohen me ilaçe statinë, të njëjtat që marrin edhe të rriturit. Disa mjekë thonë se ushqimi me yndyrna dhe mungesa e ushtrimeve fizike shtojnë më tepër se kurrë, predispoziën e fëmijëve për të patur sëmundje të zemërs.

"Synimi është që të ulet kolesteroli i keq, apo LDL me termin mjekësor, tek fëmijët, me shpresën për të pakësuar mundësinë për infarkte, apo dhe goditje në tru, si tek të rriturti," thotë pediatrja Sara Klaus.

Por Dr. Dafne Su dhe mjekë të tjerë janë të alarmuar nga kjo: "Statinat, apo çdo terapi mjekësore duhet përdorur tek fëmijët vetëm kur është tepër e nevojshme. Ilaçet e cilitdo lloji, kanë rreziqe, sidomos tek fëmijët, organizmi i të cilëve është në rritje."

Disa mjekë argumentojnë se ilaçet janë mënyra më e lehtë për trajtimin e problemit, në vend të shtimit të ushtrimeve fizike dhe rënies në peshë. Të tjerë thonë se nuk ka ende studime mbi efektet e mundshme anësore të përdorimit për një kohë të gjatë të ilaçeve statinë. Por specialistët e akademisë thonë se mjekët duhet të balancojnë rreziqet e mjekimit të fëmijëve me këto ilaçe me rreziqet e mos mjekimit të atyre që kanë shenja paralajmëruese për sëmundjen e zemrës. //ad//

XS
SM
MD
LG