Lidhje

SHBA konfirmon ofertën ndaj Iranit para negociatave bërthamore


Departamenti amerikan i Shtetit konfirmon se Irani mund të hyjë në negociata edhe pa plotësuar fillimisht kërkesat e Shteteve të Bashkuara dhe fuqive të mëdha për të pezulluar programin e tij të pasurimit të uraniumit. Zyrtarët amerikanë thanë se janë dakord për kontakte para negociatave, gjatë të cilës nga Irani kërkohet vetëm që të mos e shtojë kapacitetin e tij të pasurimit.

Oferta për të ashtuquajturën periudhë para negociatave është njoftuar ditët e fundit nga disa agjenci lajmesh, duke cituar burime të ndryshme diplomatike, por komentet e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Sean McCormack, janë ato më specifiket.

Shtetet e Bashkuara së bashku me katër vendet e tjera anëtare të përherëshme të Këshillit të Sigurimt të Kombeve të Bashkuara dhe Gjermaninë, i kanë ofruar Iranit një sërë stimujsh, përfshirë ndihmën për programin e tij bërthamor për shfrytëzim civil, në qoftë se ai ndal pasurimin e uraniumit, për të cilin zyrtarë amerikanë dhe të tjerë besojnë se ka lidhje me armët bërthamore.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Javier Solana, dhe një delegacion diplomatësh nga grupi P-5 + 1, i paraqitën Iranit nga mesi i qershorit stimuj të rinj, për të cilët Irani nuk ka dhënë ende përgjigjen përfundimtare.

Në një konferencë shtypi me gazetarët, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Sean McCormack, konfirmoi se propozimi i fuqive të mëdha përfshin gjithashtu edhe ofertën për peridhën para negociatave, që do të zgjatë gjashtë javë, gjatë të cilës Irani nuk do të shtojë centrifugët në përpjekjet e tij pasurimin e uraniumit, ndërsa ata ekzistuesit do të vazhdojnë funksionimin.

Gjatë kësaj periudhe, Irani do të fillojë bisedimet për stimujt e rinj në fushën bërthamore me fuqitë e mëdha dhe Gjermaninë, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk kanë patur marrëdhënie diplomatike me Iranin për rreth 30 vjet, do të marrin pjesë në bisedime në fund të peridhës para negociatave, me kusht që deri atëhere Irani do të ketë ndërprerë programin e tij të pasurimit të uraniumit.

Në qoftë se Irani e pezullon këtë program, fuqitë e mëdha do të pezullojnë vënin në zbatim të sanksioneve të Këshillit të Sigurimit ndaj Iranit.

Në komentet e tij, zoti McCormack u shpreh në mbështetje të ofertës për periudhën para negociatave, në përgjigje të sugjerimeve të disa kritikëve se ajo ishte një ofertë tepër bujare ndaj Teheranit.

"Por për të zhvilluar negociata të mirëfillta me Shtete e Bashkuara në nivelin e Sekretares së Shtetit, iranianët duhet të pezullojë programin e pasurimit të uraniumit si kusht për pezullimin e sanksioneve. Ne mendojmë se kjo është një ofertë shumë e arsyeshme dhe në qoftë se iranianët e pranojnë atë , ne mendojmë se në fund të periudhës para negociatave, që do të jetëmë e shkurtër se dy muaj, do të arrihet qëllimi i dëshiruar, pra pezullimi i programit të pasurimit si kusht për mos zbatimin e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit, dhe fillimin e negociatave për një sërë çështjesh të tjera".

Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice, ka përsëritur disa herë se në qoftë se Irani pezullon pasurimin e uraniumit, ajo do të jetë e predispozuar të zhvillojë diskutime me homologun e saj iranian për çdo çështje që Irani dëshiron të trajtojë.

Pritet që Irani të kthejë përgjigje për stimujt e rinj shumë shpejt, ndoshta në takimin e Teheranit mes Shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Javier Solana, dhe negociatorit iranin për çështjet bërthamore, Saeed Jalili.

Megjithëse komentet publike në Iran për ofertën kanë qënë përgjithësisht negative, zyrtarët amerikanë thonë se ka patur edhe deklarata që sugjerojnë se udhëheqja iraniane po debaton nëse do ta pranojë ose jo atë.

Zoti McCormack tha se refuzimi i stimujve të rinj do të thotë se Irani do të izolohet edhe më tej dhe presioni ekonomik ndaj tij do të shtohet. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit i vuri theksin në këtë kontekst vendimit të firmës franceze të energjisë, Total, për të pezulluar planet për një investim të madh në fushat e naftës të Iranit.

XS
SM
MD
LG