Lidhje

SHBA: Shqetësime  për shtimin e shtatzanive mes adoleshenteve


Njoftimet se disa vajza të një shkolle të mesme në një qytet të shtetit Masaçusets kishin bërë një pakt që të mbeteshin shtatzënë dhe të rrisnin fëmijët së bashku, u pasqyruan gjerësisht nga media amerikane. Zyrtarët e kanë mohuar që një pakt i tillë ekziston, por incidenti nxjerr në pah shqetësimin e disa ekspertëve të shëndetit të adoleshentëve se përqindja e shtatzanive mes adoleshentëve po rritet përsëri. Një nga faktorët që këta ekspertë mendojnë se mund të ndihmojnë në shmangien e kësaj dukurie është edukata seksuale nëpër shkolla.

Në vitet 1990, shtatzanitë mes adoleshentëve ranë në mënyrë drastike. Por për herë të parë që prej 15 vjetësh, numri i adoleshenteve që lindin është rritur me tre për qind në vitin 2005.

Devana Fërst ishte 17 vjeç kur mori vesh se ishte shtatzënë me trinjakë.

“Nuk mendoja kurrë se do të më ndodhte mua”, thotë ajo.

Tre vjet pas lindjes, Devana është një nënë e pamartuar që punon në turnin e natës, pranë Uashingtonit. Një nga vajzat e saj, Destini lindi me një zhurmë në zemër dhe ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm shëndetësor.

“Ende nuk e kam marrë veten. Më duhet të punoj natën që ditën ta kem të lirë për to, se nuk i dihet se ç’mund të ndodhë dhe nuk mund t’i besosh askujt”, thotë Devana.

Përpjekjet e Devanës si mama e vetme, nuk janë të pazakonta. Por interesi i medias amerikane për shtatzaninë mes adoleshenteve, arriti kulmin kohët e fundit, pas disa njoftimesh se disa nxënëse të shkollës së mesme në qytetin Gloucester të Masaçusetsit bënë një pakt që të mbeteshin shtatzënë njëkohësisht. Kryetari i bashkisë së qytetit dhe disa nga vajzat shtatzëna i mohuan njoftimet për paktin. Megjithatë, 17 shtatzanitë e katërfishuan numrin e shtatzanive në shkollën e mesme të Gloucesterit.

Zyrtarët e shkollave bëjnë përgjegjës për këtë rritje të numrit mungesën e edukatës seksuale, rënien ekonomike dhe median që e pasqyron me shkëlqim shtatzaninë mes adoleshentëve. Ekspertët e shëndetit të adoleshentëve theksojnë se Shtetet e Bashkuara kanë një përqindje më të lartë të shtatzanisë mes adoleshenteve sesa vendet e tjera të industrializuara.

Sara Braun është kryetare e Fushatës Kombëtare për të parandaluar shtatzaninë mes adoleshenteve.

“Në Shtetet e Bashkuara ende një ndër tre vajza ngel shtatzënë të paktën një herë para se të mbushë 20 vjeç. Është një shifër e lartë. Rasti i Gloucesterit tregoi se kjo është një dukuri që vazhdon të shfaqet. Megjithëse ka pasur përparim, nuk jemi ende atje ku duhet”.

Organizata që drejton zonja Braun dhe televizioni NBC kohët e fundit nxorrën një seri të re emisionesh “Të marrësh hua një bebe” për të edukuar adoleshentët për sfidat e prindërve.

Mjekët bien dakord se komunikimi mes prindërve dhe fëmijëve për marrëdhëniet seksuale ndihmon në pakësimin e shtatzanive mes adoleshentëve.

Ata thonë gjithashtu se është e rëndësishme që t’u ofrohen adoleshentëve mundësi për të ardhmen. Doktoreshë Li Birs e Qendrës së Shëndetit të Fëmijës në Uashington thotë:

“Nëse adoleshentët kanë një plan për të ardhmen, nëse dinë për shembull nëse duan të shkojnë në universitet, ata janë më pak të prirur të kenë marrëdhënie të hershme seksuale”.

Devana Fërst, nëna e re në Uashington thotë se ajo vazhdimisht i këshillon shoqet e saj që ta shtyjnë shtatzaninë.

“Është e vështirë. Nëse nuk do të kisha fëmijë do të ishte ndryshe. Mos më keqkuptoni nuk më vjen keq që kam fëmijë, por vetëm që isha aq e re”, thotë ajo.


Shtatzania mes adoleshenteve është një problem social që nuk haset vetëm në Shtetet e Bashkuara. Sa i mprehtë është ai në shoqërinë tuaj? Ne jemi të interesuar për mendimin tuaj. Na shkruani në adresën shqip@voanews.com.

XS
SM
MD
LG