Lidhje

Takimi i Bashkimit të Mesdheut në Francë


Franca, e cila mban presidencën e radhës në Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti, organizoi takimin e 43 vendeve të Bashkimit të Mesdheut, për të nxitur diskutimin e problemeve të përbashkëta që nga imigracioni e deri tek energjia. Në këtë takim, i cili zhvillohet në kuadrin e përpjekjeve të presidentit francez Nikolas Sarkozi për të zhvilluar dialogun dhe bashkëpunimin euro-mesdhetar, përfshihen 27 vendet e BE-së, disa nga vendet e Ballkanit, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore.


Takimi i Bashkimit të Mesdheut, ide e presidentit francez Nikolas Sarkozi, filloi të dielën në Francë mes masave të rrepta të sigurisë.

Synimi i takimit është përmirësimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes vendeve të rajoneve pjesëmarrëse.

"Qëllimi i këtij takimi mesdhetar është që popujt e Mesdheut të mësohen ta duan njëri tjetrin, në vend që të urrehen dhe të luftojnë mes tyre. Vetë fakti që të gjithë janë mbledhur në këtë dhomë për të njëjtat synime shënon një ngjarje historike," tha Presidenti francez Nikolas Sarkozi.

Pёrveç vendeve të mesdheut, në takim marrin pjesë krerët e 27 vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera që nga Maroku e deri në Ballkan, ndër të cilat edhe Shqipëria. Vetëm udhëheqësi i Libisë Moamar Gadafi e bojkotoi takimin.

Takimi i Bashkimit të Mesdheut do të trajtojë çështje si ndotja e detit Mesdhe, ndërtimi i autostradave dhe rrugëve detare, përgjigja ndaj tragjedive natyrore, zhvillimi i energjisë së përtëritshme, kryesisht energjisë diellore, zhvillimi i arsimit, kërkimeve shkencore dhe bizneseve.

Pjesëmarrësit në takim u shprehën me optimizëm për prespektivat që mund të hapë ky takim. Ja si u shpreh shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Havier Solana:
"Pa dyshim që takime të kësaj natyre, ku përfaqësues nga i gjithë Mesdheu mblidhen, janë të rëndësishme për të krijuar atmosferën e duhur dhe për t'i dhënë inerci proceve të paqes."

Në takim merrnin pjesë edhe udhëheqësit izraelitë, sirianë dhe palestinezë. Kryeministri izraelit Ehud Olmert tha se Izraeli dhe palestinezët nuk kanë qenë asnjëherë më pranë arritjes së një marrëveshjeje për paqe sesa tani. Edhe udhëheqësi palestinez Mahmud Abas tha se të dy palët "janë seriozë dhe duan të arrijnë një marrëveshje për paqe." Të dy udhëheqësit i bënë komentet në Paris me presidentin francez Sarkozi para takimit të Bashkimit të Mesdheut.

Zoti Sarkozi, po ashtu, luajti të shtunën një rol të rëndësishëm në sigurimin e një marrëveshjeje paraprake mes presidentit sirian dhe atij libanez për hapjen e ambasadave të tyre për herë të parë në dy vendet fqinje.

"Zhvillimet kanë qenë të mira në anën libaneze ku do të hapet ambasada e Sirisë. Por, çështja izraelito-palestineze nuk ka pasur shumë zhvillim, prandaj zhvillimet në këtë drejtim duhet të përshpejtohen," tha Ministri i Jashtëm suedez Karl Bilt.

Takimi i paprecedent i Bashkimit të Mesdheut në Francë vlerësohet si i rëndësishëm gjithashtu sepse ul për herë të parë në një tryezë udhëheqësit e Izraelit dhe Sirisë. //bsa//

XS
SM
MD
LG