Lidhje

Përdorimi i heroinës në Shtetet e Bashkuara


Tregëtia e heroinës nëpër botë prek jetët e miliona njerëzve. Ajo është shkatërrimtare si për vendet prodhuese ashtu edhe për ato përdoruese në mënyra të ndryshme. Për përdoruesit e heroinës, varësia tek ajo shpesh krijon një gjendje të mjerueshme dhe të dëshpërueshme që është vështirë të tejkalohet.

34-vjeçarja Sandra është një nga 60 mijë përdoruesit e drogës në qytetin e Baltimorës të shtetit Merilend. Ajo jeton në këtë shtëpi të braktisur dhe të shkatërruar të qytetit. Ajo na lejoi që të kalonim me të një pjesë të ditës së saj.

“Këtu flenë shumë njerëz dhe marrin drogë.”

Sandra e provoi heroinën për herë të parë para 6 vjetësh.

“Kjo është çanta tipike e një të droguari, e mbushur me sende personale për të përgatitur drogën.”

Jeta e saj përqendrohet vetëm tek një gjë: të ushqejë vesin e saj.

“Kjo është vetëm gjysëm tablete, sepse gjysmën tjetër e mora më herët. Dhe kështu përdoret heroina.”

Afganistani, Birmania dhe Kolumbia prodhojnë pjesën më të madhe të heroinës në botë. Kombet e Bashkuara thonë se në botë ka rreth 8 milion të droguar.

Qyteti i Baltimorës njihet për lagjet e tij me shtëpi të tilla. Por ky qytet port, në veri të kryeqytetit Ushington, njihet edhe si kryeqyteti i heroinës në Shtetet e Bashkuara. Administrata për Zbatimin e Ligjeve të Drogës thotë se 10 për qind e 600 mijë banorëve të qytetit përdorin heroinë. Karl Kotovski është Ndihmës Agjent i Posaçëm përgjegjës për administratën federale në Baltimorë.

“Heroina që shitet në Baltimorë është fare e lirë dhe kjo e bën atë shumë të lakmueshme për përdoruesit.”

Pjesa më e madhe e heroinës në Baltimorë vjen nga Amerika Jugore dhe Azia Qendrore.

Sandra thotë se nuk i intereson se nga vjen droga që ajo përdor. Ajo thotë se heroina nuk i bën më efektin që i bënte më parë. Shqetësimi i saj është dhimbja që ajo ndjen kur trupi i kërkon heroinë.

Ajo është arrestuar tre herë dhe ka kaluar 6 muaj në burg. Su Doyle, këshilltare për të droguarit në distriktin Kerëll të Merilendit, në kufi me Baltimorën, thotë se kjo është gjë e zakonshme.

“Sapo bëhen të droguar ata fillojnë të kërkojnë drogë. Dhe kjo kthehet në një fenomen i pakëndshëm sepse këtyre të droguarve u duhet të kërkojnë vazhdimisht drogë dhe para për ta blerë atë. Pastaj fillojnë të bëjnë gjëra që nuk kishin menduar kurrë se do të bënin. Vjedhin nga prindërit e tyre, nga fqinjët ose bëhen prostituta.”

Sandra arrin të mbijetojë duke punuar si prostitutë në rrugë. Ajo thotë se duhet të ketë tre klientë në ditë për të fituar para të mjaftueshme për drogë dhe ushqim. Ajo thotë se dhuna është një kërcënim i vazhdueshëm.

“Jam kërcënuar me thikë dhe m’i kanë vjedhur paratë. Dhe një përvojë shumë e keqe është kur klientët e mi kanë tentuar dhe arritur të më përdhunojnë.”

“Ja si duken këmbët e dikujt që ka marrë drogë për një kohë të gjatë.”

Sandra ka probleme shëndetsore, që rrjedhin nga përdorimi i drogës. Ajo është e sëmurë nga endokarditi, një infeksion i cipës së zemrës. Ajo vuan edhe nga Hepatiti C, që mund t’i dëmtojë mëlçinë. Dhëmbët po i prishen. Dhe të gjitha këto janë të zakonshme për përdoruesit e heroinës.

Ja si u përgjigj Sandra kur e pyetëm nëse do ta linte ndonjëherë heroinën.

“Shpresoj të përfundoj në rehabilitim para se të vdes. Por këtë nuk e di.”

Su Doyle thotë se për të droguarit ka katër mundësi: vdekja, burgu, spitali apo rehabilitimi. Ajo thotë se rehabilitimi është ndoshta alternativa më e vështirë.

“Shumica e klinetëve tanë nuk kurohen që herën e parë. Kjo është sëmundje kronike afatgjatë. Ne e krahasojmë atë me diabetin apo tensionin e lartë të gjakut. Nuk mund të bësh një kurë mjekësore dhe të mendosh se çdo gjë është në rregull.”

Kohët e fundit Sandra u përpoq të hynte në një klinikë rehabilitimi. Por ajo nuk u pranua sepse në Baltimorë lista është e gjatë dhe duhet të presësh më shumë se një muaj.Tani për tani, Sandra vazhdon të jetojë në rrugë duke u përpjekur të mbijetojë çdo ditë me problemin e saj. //bsa//

XS
SM
MD
LG