Lidhje

Obama bën thirrje për tërheqjen e trupave amerikane në mes të vitit 2010


Kandidati demokrat për president Barack Obama bëri thirrje për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku deri në mes të vitit 2010.

Në një artikut botuar sot në gazetën The New York Times, zoti Obama thotë se nuk do ta mbajë ushtrinë amerikane apo burimet e saj peng të asaj që ai e quajti dëshirë e gabuar për të mbajtur baza të përhershme në Irak.

Senatori Obama tha se një forcë amerikane do të qëndrojë në Irak për të kryer misione të kufizuara si për shembull luftimi i mbeturinave të al-Kaidës dhe mbrojtja e personelit ushtarak amerikan.

Zoti Obama mendon se lufta në Irak ishte një gabim dhe duhet të marrë fund.

Zoti Obama është përballur me kritika javët e fundit mbi akuzat se në se zgjidhet president ai mund të vonojë tërheqjen e trupave nga Iraku.

Po në artikullin e sotëm, kandidati demokrat për president shkruan se ka në plan të dërgojë në Afganistan edhe dy brigada të tjera. Ai thotë se më shumë trupa, helikopterë dhe misione për grumbullim informacioni zbulimi janë të nevojshme për të zbatuar misionin në atë vend.


Po sot fushata e senatorit të Ilinoit, Barak Obama kritikoi ashpër kopertinën e një reviste që paraqet në karikaturë senatorin e veshur me turbe myslimane dhe gruan e tij me çizme dhe një armë.

Në kopertinë çifti Obama feston fitoren në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa flamuri amerikan digjet në oxhak. Një fotografi e udhëheqësit terrorist, Osama bin Laden, është varur mbi oxhak.

Sipas një zëdhënësi të fushatës së zotit Obama, një punonjës i revistës The New Yorker tha se kopertina është një satirë e asaj që kritikët janë përpjekur të krijojnë për zotin Obama.

Megjithatë zëdhënësi tha se shumica e lexuesve do ta shikojnë kopertinën si “të pahijshme dhe fyese.” Fushata e kandidatit republikan për president, Xhon Mekejn, tha se është dakord me këtë mendim.

XS
SM
MD
LG