Lidhje

Ambasadori amerikan në Shqipëri Uidhers hedh poshtë akuzat


Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, i përgenjeshtroi akuzat e ngritura ndaj tij se është përpjekur të fshehë të vërtetën për tregtinë e municioneve që një firmë amerikane blinte në Shqipëri për të furnizuar ushtrinë afgane.

Ambasadori amerikan u vu në qendër të kësaj çështjeje nga Komisioni i Kongresit për Mbikqyrjen dhe Reformat Qeveritare. Kryetari i Komisionit, ligjvenësi Henri Uaksman, i dërgoi një letër Sekretares së Shtetit Kondoliza Rajs ku ngrinte akuzat ndaj diplomatit amerikan.

Gazeta Los Anxheles Tajms ka siguruar komentet e para të ambasadorit Uidhers, që pas përfshirjes së emrit të tij në çështjen e tregëtisë së municioneve drejt Afganistanit. Sipas gazetës, hetimet që kishte filluar qeveria mbi municionet e blera nga firma AEY në Shqipëri, kanë marrë tani një kthesë tjetër, atë të rolit që mund të ketë luajtur në këtë çështje ambasada amerikane në Tiranë.

Emri i ambasadës dhe i ambasadorit Uidhers, u lidhën me tregëtinë e armëve pas një takimi që ish Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu i kërkoi amabasadorit më 19 nëntor 2007. Një takim, i cili ka ndodhur vonë, gati në mesnatë. Dhe pikërisht ato që janë thënë në takim, ose mënyra se si janë interpretuar thëniet e të pranishmëve në të, janë bërë objekt hetimesh.

Sipas gazetës Los Anxheles Tajms, Ambasadori Uidhers dhe disa funksionarë të tjerë, u thirrën javën e kaluar për të dalë para një jurie të madhe në Majami, e cila po mbledh dëshmitë rreth çështjes. Majami është qyteti ku e ka selinë firma AEY.

Javën e kaluar, duke folur për herë të parë për rolin e tij dhe të ambasadës, sipas artikullit të sotëm, ambasadori Xhon Uidhers, i tha gazetës Los Anxheles Times se ambasada amerikane në Tiranë nuk është përpjekur të fshehë fakte, madje ka bashkëpunuar ngushtë me hetuesit që po ndiqnin çështjet e municioneve. Ambasadori Uidhers thotë se komisioni i kongresit që organizoi dëshmi për këtë çështje u nxitua në përfundimet e tij.

Kryetari i këtij komisioni, Henri Uaksman, në një letër dërguar Sekretares së Shtetit, e akuzon Ambasadorin Uidhers se është përpjekur të fshehë blerjen e municioneve kineze apo t'i fshehë informacion komisionit të Kongresit që po hetonte çështjen. Sipas variantit të ambasadorit Uidhers që boton gazeta Los Anxheles Tajms, Ministri Mediu, i pushtuar nga paniku i kishte kërkuar takim ambasadorit dhe ky, duke kujtuar se bëhej fjalë për ndonjë informacion të rëndësishëm, për ndonjë akt terrorist a diçka të kësaj natyre, pranoi të takohej aq vonë në mbrëmje.

Sipas ambasadorit, ish Ministri Mediu, iu lut ambasadorit të ndërhynte për të shmangur një artikull të Nju Jork Tajmsit. Ambasadori thekson se ministri bëri disa kërkesa ose sugjerime "të çuditshme", për shembull për të mos lejuar gazetarin apo për të ripaketuar municionet që të fshihej origjina e tyre kineze. Ambasadori thotë se ai vetë dhe të pranishmit në takim nuk i dhanë ish ministrit të kuptojë se kërkesat e tij ishin të pranueshme, por i thanë që të përgatitej për të reaguar pasi të dilte artikulli i Nju Jork Tajmsit.

Takimi i 19 nëntorit u zhvillua në një kohë kur hetimet rreth kompanisë AEY tashmë kishin filluar.

Sipas dëshmisë për hetuesit e Komisionit të Mbikqyrjes dhe Reformave të Kongresit dhe sipas disa e-maileve të brendshme, punonjësi i ambasadës, majori Larry Harrison, linte të kuptohej se kërkesa e Ministrit Mediu ishte miratuar nga takimi, madje në e-mailet e tij, majori shtronte pyetjen në se takimi i mesnatës i duhej raportuar apo jo hetuesve të komisionit. Të gjitha këto ngrinin dyshime mbi rolin e amabasadorit Uidhers.

Por sipas artikullit të sotëm të gazetës Los Anxheles Tajms, që i referohet ambasadorit Uidhers dhe disa zyrtarëve të tjerë amerikanë, majori Harrison, në biseda private ka thënë se ai nuk ka synuar të akuzojë ambasadorin ose ndonjë zyrtar tjetër të ambasadës dhe po sipas tyre, majori ka thënë se fjalët e tij ishin përdorur jashtë kontekstit. Gazeta është përpjekur të kontaktojë me majorin ose me avokatin e tij po nuk ka siguruar ndonjë koment. Hetimet ndërkohë vazhdojnë. //ii

XS
SM
MD
LG