Lidhje

Tensioni i gjakut dhe kujtesa. Melanoma tek gratë e reja


Tensioni i gjakut lidhet me humbjen e kujtesës

Një nga shqetësimet më të mëdha në fushën e shëndetit, në Shtetet e Bashkuara është shtimi me ritme të shpejta i degradimit të trurit ose siç quhet ndryshe Dementia, që sjell humbjen e kujtesës tek të moshuarit.

Demetia, ne disa raste quhet demenca, është një simptomë e Alcajmerit, dhe thuhet se 20 përqind e amerikanëve mbi moshën 80 vjeç vuajnë nga ky degradim i trurit. Por një studim i ri e lidh dementian me tensionin dhe rekomandohet që një trajtim i thjeshtë i tensionit të gjakut mund të ulë rrezikun e humbjes së kujtesës mes të moshuarve.

Më shumë se 3 milionë amerikanë të moshës 70 vjeç e lartë vuajnë nga dementia dhe 5 milionë të tjerë vuajnë nga një lloj humbjeje kujtese që i vë ata në rrezik të lartë për t'u prekur nga dementia.

Aktualisht nuk ekziston ndonjë mënyrë e provuar për shmangjen e dementias, megjithëse studimet në këtë fushë tregojnë se arsimi i lartë, të mirëushqyerit dhe ushtrime të rregullta fizike mund ta pakësojnë këtë rrezik.

Kohët e fundit, një studim i ri doli me idenë se edhe duke ulur tensionin e gjakut njerëzit mund të pakësojnë gjasat për t'u prekur nga dementia.

Shkencëtarët krahasuan rezultatet e një studimi në shkallë ndërkombëtare mbi tensionin e gjakut mes rreth 3 mijë pacientëve mbi moshën 80 vjeç, dhe vunë re se trajtimi i tensionit të gjakut me barna të quajtur Diuretikë dhe ACE pakësoi 13 përqind mundësitë e prekjes nga dementja.

Me këto rezultate në duar, shkencëtarët tani thonë se kujtesa duket se ndihmohet nga përmirësimi i qarkullimit të gjakut. Megjithëse të tjerë bëjnë thirrje për studime më të gjëra e më afatgjatë për të vërtetuar këto rezultate.

Shtohen rastet e melanomës tek gratë e reja

Melanoma është forma më e rrezikëshme e kancerit në lëkurë dhe një studim i ri, financuar nga qeveria dhe botuar në revistën amerikane të Dermatologjisë tregon se rreziku i prekjes nga melanoma po vjen duke u rritur mes grave të reja.

Melanoma është kanceri i shtatë më i zakonshëm tek gratë, por ekspertët shqetësohen se melanoma po ngjitet me shpejtësi në krye të këtij klasifikimi.

Studimet e kohëve të fundit mbi rastet e kancerit të lëkurës, jo melanomë, kanë treguar se gratë e reja preken gjithnjë e më shpesh prej tij. Kjo i bën shkencëtarët të shqetësohet se mos ndoshta edhe rastet e Melanomës po vijnë duke u shtuar mes kësaj grupgjinie.

Shkencëtarët e Institutit Kombëtar të Kancerit analizuan prirjet e melanomës tek burrat dhe gratë nga mosha 15 deri në 59 vjeç.

Studimet në vitet 1970 kishin treguar se rastet e melanomës shtoheshin 7 përqind në vit tek burrat dhe 9 përqind tek gratë. Por në vitin 1980, numri i rasteve të melanomës mbeti në vend për burrat, ndërsa tek gratë ky numër vazhdoi të rritej.

Gjatë periudhës së studimit, numri i rasteve të melanomës tek gratë u rrit mbi 100 përqind ose u dyfishua. Ekspertët e kanë të vështirë të shpjegojnë përse rastet e melanomës tek burrat kanë ardhur duke u pakësuar ndërsa tek gratë ato rriten. Ata mendojnë se kjo prirje mund të vijë pjesërisht nga që gratë e reja tani rrijnë më shumë nën rreze ultravjollcë në diell ose në shtretër me rreze artificiale për të marrë ngjyrë. Ata thonë se personat me lëkurë delikate duhet të mbrohen nga këto rreze duke hedhur supeve veshje të lehta, duke qëndruar në hije ose duke e lyer lëkurën me solucione si vaj plazhi e të tjera.

XS
SM
MD
LG