Lidhje

Qeveria amerikane ndërhyn për të shpëtuar dy kompani huadhënëse


Banka Qëndrore e Shteteve të Bashkuara ose siç njihet këtu Rezerva Federale amerikane deklaroi masa që synojnë mbështetjen e dy gjigandëve huadhënës, aksionet e të cilëve kanë rënë ndjeshëm si pasojë e krizës në tregun e shitblerjes së shtëpive. Sekretari i Thesarit Henry Paulson tha të dielën se Departamenti i tij po kërkon ta zgjerojë kredinë për kompanitë Fannie Mae dhe Freddie Mac, të cilat kanë pesë trilion dollarë letra me vlerë në tregun e shtëpive. Por ky njoftim nuk ishte i mjaftueshëm për të lehtësuar shqetësimet e investitorëve në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Aksionet amerikane ranë dje mes shqetësimeve të investitorëve se planet për mbështetjen e dy huadhënësve më të mëdhenj në vend mund të mos jenë të mjaftueshme për të shmangur probleme në të ardhmen. Fannie Mae dhe Freddie Mac kanë pësuar humbje prej miliarda dollarësh për shkak të krizës në tregun e shitblerjes së shtëpive. Plani që u bë i njohur nga kreu i Departamentit të Thesarit Henry Paulson të dielën vë në dispozicion fonde afatshkurtra për kompanitë e mbështetura nga qeveria.

“Fannie Mae dhe Freddie Mac luajnë një rol qendror në sistemit tonë të strehimit dhe duhet të vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë si kompani që janë pronë e aksionerëve. Mbështetja e tyre për tregun e strehimit është veçanërisht e rëndësishme ndërsa përpiqemi të kapërcejmë vështirësitë aktuale në tregun e shitblerjes së shtëpive”.

Disa ekonmistë thonë se edhe sikur vetëm njëra nga kompanitë të dështonte, rezultati do të ishte katastrofik për ekonominë globale.

Art Hogan është analisti kryesor i tregjeve tek firma Jeffries and Company.

“Pothuajse gjysma e huave në këtë vend ose janë dhënë ose janë garantuar nga Fannie Mae dhe Freddie Mac, ç’ka do të thotë gjysma e të gjitha huave për banesat në Amerikë, kështuqë bëhet fjalë për triliona dollarë”.

Bëhet fjalë për 5.3 trilion dollarë, afro një e pesta e të cilave janë para të investitorëve të huaj. Pavarësisht nga ndihma e qeverisë amerikane për kompanitë huadhënëse, bursa e Hong Kongut ra me afro 1 për qind dje, pasi investitorët iu shmangën blerjeve të mëdha. Louis Woang Wai Kit është aksioner në bursën e Hong Kongut.

“Shpresat janë që tregu të stabilizohet dhe të ketë më shumë nisma për politika që do të stabilizonin tregun e Kinës. Por nga ana tjetër, tregu amerikan vazhdon të jetë shumë i paqendrueshëm, kështuqë parashikojmë që këmbimi këtë javë në Hong Kong të jetë i luhatshëm”.

Shqetësimet e investitorëve u rritën me falimentimin e kompanisë IndyMac me qendër në Kaliforni. Rregullatorët federalë morën nën kontroll të premten pronat e kompanisë pas dështimit të bankës për shkak të krizës në tregun e shtëpive. IndyMac, që llogaritet të ketë një vlerë prej 32 miliardë dollarësh ka qenë dikur kompania e shtatë më e madhe huadhënëse në Shtetet e Bashkuara.


XS
SM
MD
LG