Lidhje

Senatori Obama parashtron strategjinë e tij për politikën e jashtme


Kandidati demokrat për president Barak Obama thotë se përqendrimi vetëm tek lufta në Irak e ka larguar vëmendjen e Shteteve të Bashkuara nga kërcënimet e tjera, duke përfshirë Afganistanin. Senatori Obama mbajti një fjalim të rëndësishëm në Uashington i cili ngjalli reagime të menjëhershme nga rivali i tij republikan, senatori Xhon Mekejn dhe presidenti Bush.

Senatori Obama parashtroi strategjinë e tij me pesë plane për politikën e jashtme, e cila fillon me tërheqjen e pjesës më të madhe të trupave amerikane nga Iraku brenda 16 muajsh pas marrjes së postit të presidentit.

“Kjo luftë ul sigurinë tonë, pozitën tonë në botë, ushtrinë tonë, ekonominë dhe burimet që na nevojiten për t’u përballur me sfidat e shekullit të 21-të. Ngado që ta shohësh, përqendrimi ynë i njëanshëm dhe i pafund në Irak nuk është strategji e mirë për ta bërë Amerikën më të sigurt. Unë po kandidoj për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara për ta çuar vendin tonë në një drejtim të ri.”

Zoti Obama po përgatitet për një udhëtim në Irak dhe Afganistan në fund të këtij muaji.

Ai tha se synon të lëvizë disa brigada luftarake nga Iraku në Afganistan nëse zgjidhet në nëntor.

“Fronti kryesor në luftën kundër terrorizmit nuk është Iraku dhe nuk ka qenë asnjëherë. Prandaj objektiva e dytë e strategjisë sime do të jetë të luftoj al-Kaidën në Afganistan dhe Pakistan.”

Senatori Obama premtoi gjithashtu se do të udhëhiqte një përpjekje ndërkombëtare për të mos lejuar që armët bërthamore të bien në duart e terroristëve dhe vendeve të papërgjegjshme, për të shkuar drejt pavarësisë energjitike, dhe për të rindërtuar aleanca ndërkombëtare.

Kandidati demokrat për president premtoi gjithashtu se do të përdorte, siç tha ai, të gjitha mjetet në duart e shtetit për të parandaluar Iranin të prodhojë armë bërthamore.

Fjalimi i Obamës ngjalli reagimin e menjëhershëm të kandidatit republikan për president, senatorit Xhon Mekejn.

Zoti Mekejn kritikoi senatorin Obama se po parashtronte strategjinë e tij për Irakun dhe Afganistanin pa u këshilluar më parë me zyrtarët në ato dy vende.

“Dua të vë në dukje se ai po flet për planet e tij për Irakun dhe Afganistanin para se të shkojë atje, para se të flasë me gjeneralin Dejvid Petreas, para se të ketë parë përparimin e bërë në Irak, dhe para se të ketë vizituar Afganistanin për herë të parë. Sipas përvojës sime, misionet fakt-mbledhëse zakonisht bëhen ndryshe. Më parë vlerësohen faktet në terren dhe pastaj parashtrohet strategjia.”

Senatori Mekejn ka qenë prej kohësh përkrahës i zjarrtë i strategjisë së presidentit Bush për rritjen e numrit të trupave në Irak dhe thotë se një strategji e tillë nevojitet edhe për Afganistanin.

Zoti Mekejn i tha audiencës së tij në Nju Meksiko gjithashtu se ai di si t’i fitojë luftrat dhe se eksperienca e tij ushtarake do ta bënte atë një komandant më të mirë të forcave të armatosura.

Një anketë e re e gazetës Uashington Post dhe rrjetit televiziv ABC tregon se votuesit janë të ndarë për sa i përket tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku. //bsa//

XS
SM
MD
LG