Lidhje

FMN-ja, Banka Botërore, do të shqyrtojnë kërkesën e Kosovës për anëtarësim


Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se do të marrë në shqyrtim kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion, madje shtoi se e njeh Kosovën si një shtet të ri e të pavarur.

Në një deklaratë dje të Fondit Monetar Ndërkombëtar thuhej se kërkesa e Kosovës do të kalojë nëpër procesin e zakonshëm për shqyrtimin e kërkesave.

Ndërkaq, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Grupin e Organizmave që përfshihen në Bankën Botërore, ndër ta Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, Shoqata për Zhvillim Ndërkombëtar, Korporata Ndërkombëtare e Financave, Agjencia e Garantimit të Investimeve Shumëpalëshe dhe Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve në Investime. Banka Botërore njofton në faqen e saj elektronike se pasi mori kërkesën e qeverisë së Kosovës për antarësim në Grupin e Organizmave që përfshin Banka Botërore, do ta shqyrtojë këtë kërkesë në bashkërendim me kërkesën e paraqitur nga Kosova pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Kërkesa e Kosovës shënon fillimin e procesit zyrtar, që do të përfshijë një votë në të ardhmen nga Bordi i Guvernatorëve të Bankës lidhur me aplikimin e Kosovës për antarësim. Hapi i parë në këtë proces është vendimi nga FMN-ja për të përcaktuar kuotën për Kosovën në këtë Fond. Bazuar në këto përllogaritje, Banka Botërore do të vendosë përqindjen e aksioneve që i përkasin Kosovës në Bankë. Procesi i anëtarësimit zakonisht zgjat së paku 6-9 muaj.

Anëtarësimi në Bankë nuk kushtëzohet nga anëtarësimi në Kombet e Bashkuara. I vetmi parakusht për anëtarësim në Bankën Botërore është anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gjatë votimit nga Bordi i Guvernatorëve të Bankës, një shumicë e thjeshtë mjafton për të miratuar anëtarësimin.

Udhëheqësit e Kosovës shpallën pavarësinë në shkurt megjithë kundërshtimin e ashpër të Serbisë dhe aleates së saj tradicionale, Rusisë. Më shumë se 40 vendeve, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Beogradi është zotuar ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por nuk ka komentuar rreth njoftimit të djeshëm të FMN-së. Moska ka thënë se do të shfrytëzojë pozitën e saj si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare. (ze)

XS
SM
MD
LG