Lidhje

Pano: Takimi me Presidentin Bush, njohje e rëndësisë së Kosovës për SHBA


Vizita që Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi do të bëjnë në Shtëpinë e Bardhë, shihet nga shqiptaro-amerikanët si një inkurajim që Shtetet e Bashkuara po i japin shtetit të ri. Historiani shqiptaro-amerikan Nikolla Pano, i tha Zërit të Amerikës se takimi i udhëheqësve të Kosovës me Presidentin Bush është një njohje e rëndësisë që ka Kosova për Shtetet e Bashkuara.

Profesor Pano, një njohës i mirë i historisë së Ballkanit, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë dëshira të mira për Kosovën dhe kjo pasqyrohet edhe në ftesën që vjen nga Presidenti Bush:

"Vizita e udhëheqësve të Kosovës në Uashington është një njohje e rëndësisë që ka Kosova për Shtetet e Bashkuara. Ajo është gjithashtu një njohje nga Shtetet e Bashkuara e përparimit që po bëhet në Kosovë për të vendosur institucionet e nevojshme politike. Vizita është edhe një nderim për popullin e Kosovës. Shtetet e Bashkuara kanë një admirim të madh ndaj përkushtimit të popullit të Kosovës për arritjen e pavarësisë. Vizita synon të inkurajojë popullin e Kosovës dhe t’u japë atyre të kuptojnë se Shtetet e Bashkuara qendrojnë përkrah tyre jo vetëm materialisht si në rastin e kontributit që dhanë për fondin e donatorëve, por edhe moralisht: Shtetet e Bashkuara kanë dëshira të mira për popullin e Kosovës për të realizuar me sukses kalimin drejt një shteti të pavarur dhe demokratik."

Profesor Pano nuk mendon se ekziston ndonjë rrezik i menjëhershëm që Kosova të dështojë si shtet por thotë se rruga përpara do të jetë e vështirë. Mes grackave të cilave ajo duhet t’u ruhet, thotë profesori, është rreziku i paqendrueshmërisë politike që mund të vinte nga lufta e tepruar politike mes partive politike.

"Shpresoj se Kosova do të nxjerrë mësime nga Shqipëria, sepse lufta e tepruar mes partive, lufta thellësisht përçarëse politike do të çonte në zhgënjim brenda vendit, do të minonte moralin e popullatës. Është e nevojshme që partitë kryesore politike në Kosovë t’i zhvillojnë betejat e tyre rreth parimeve dhe çështjeve serioze e jo të angazhohen në sulme politike apo në kërkim të avantazheve dhe të monopolit politik."

Shumica e ekspertëve e pranojnë se anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në Kombet e Bashkuara duket i pamundur dhe sipas profesor Nikolla Panos kjo, në një farë mase e dëmton prestigjin e vendit ndonëse nuk do të ketë ndikim mbi pavarësinë e saj.

"Në vështrimin afatgjatë, kosovarët duhet të shpresojnë se do të ndodhin ndryshime në qendrimet që e pengojnë anëtarësimin e tyre në Kombet e Bashkuara. Ky vendim do të varet nga Rusia dhe nga Kina dhe kosovarët mund të bëjnë pak në këtë aspekt. Por ajo që mund të bëjnë ata është që me vepra të bindin një numër më të madh vendesh se Kosova e meriton të njihet prej tyre."

Shtimi i numrit të këtyre vendeve, thotë profesori, do të bëjë që kundërshtimet e Rusisë dhe të Kinës të dobësohen derisa gradualisht Kosova të pranohet në Kombet e Bashkuara. //ii

XS
SM
MD
LG