Lidhje

SHBA: Lufta në Irak dhe në Afganistan mbizotëron fushatën presidenciale

  • Robert Rafaele

Lufta në Irak dhe në Afganistan u bënë dje një çështje kryesore diskutimi në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Gjatë një fjalimi që mbajti dje në Uashington, kandidati për president i Partisë Demokrate, senatori Barak Obama parashtroi strategjinë e tij për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku. Në fund të muajit zoti Obama ka në plan të vizitojë Irakun dhe Afganistanin. Ndërkohë, rivali i tij republikan, senatori Xhon Mekein, tha se ai mund të arrijë fitoren në Afganistan me të njëjtën strategji, me të cilën ai tha se ka patur rezultat edhe në Irak.

Senatori Barak Obama thotë se ai është personi që do t’i kthejë trupat amerikane nga Iraku. Ai u tha përkrahësve të tij se Washingtoni duhet të ushtrojë presion ndaj qeverisë irakiane për arritjen e ripajtimit politik dhe për t’i dhënë fund dhunës sektare.

“Unë do t’u jepja forcave tona ushtarake një mision të ri, që ditën e parë në detyrë: ta përfundojnë luftën. Le të shprehem qartë. Ne duhet të tregohemi po aq të kujdesshëm në tërheqjen nga Iraku, saç ishin të shkujdesshëm kur e filluam luftën. Ne mund t’i tërheqim trupat tona me një rritëm që do të përfundonte brenda 16 muajve, pra deri në verë të vitit 2010.”

Senatori Obama u zotua të mbajë në Irak pas 2010-tës atë që ai e cilësoi “një forcë të kufizuar”, me synimin për të asgjësuar mbeturinat e Al Kaidës, për të mbrojtur diplomatët amerikanë dhe për të vazhduar stërvitjen e forcave irakiane të sigurisë.

Duke ju kthyer çështjes së Afganistanit, senatori Obama tha se përparimi në luftën kundër Al Kaidës dhe forcave talebane është sakrifikuar për shkak të luftës në Irak.

Si President, unë do ta bëja luftën kundër Al Kaidës dhe forcave talebane, përparësinë kryesore, që duhet të jetë. Kjo është një luftë, që ne duhet ta fitojmë.”

Ndërkohë, gjatë një fjalimi që mbajti dje në shtetin e Nju Meksikos, senatori Xhon Mekein tha se zoti Obama gaboi kur kundërshtoi shtimin e trupave në Irak vitin e kaluar.

“Senatori Obama thotë se ne nuk mund të fitojmë në Afganistan pa humbur në Irak. Në fakt, është e kundërta. Është pikërisht suksesi nga shtimi i forcave në Irak, që na tregon mënyrën për të patur sukses në Afganistan.”

Senatori republikan i Arizonës tha se ai di si fitohet lufta.

“Në se unë zgjidhem president, unë do ta ktheja gjendjen e luftës në Afganistan, ashtu siç bënë me luftën në Irak: me një strategji gjithëpërfshirëse për fitoren. Unë di si ta bëj këtë.”

Zoti Mekein tha se trupat e NATO-s në Afganistan kanë nevojë për më tepër ndihmë për të luftuar kryengritësit talebanë dhe të Al Kaidës. Ai thotë se do ta dyfishojë numrin e ushtrisë afgane në rreth 160 mijë trupa dhe vende të ndryshme do të përballojnë bashkarisht koston. Zoti Mekein tha po ashtu, se Afgansiatni duhet të ketë një komandant ushtarak suprem për të udhëhequr forcat amerikane dhe ato të NATO-s.//lk

XS
SM
MD
LG