Lidhje

SHBA: Kandidatët presidencialë dhe fushatat e tyre jashtë vendit

  • Leta Fisher

Kandidati demokrat për president Barak Obama po përgatitet për vizitën e tij të parë jashtë vendit si kandidat presidencial. Ai ka në plan të vizitojë Evropën, Israelin, Bregun Perëndimor, Irakun dhe Afganistanin. Rivali i tij republikan, senatori Xhon Mekejn, kohët e fundit u kthye nga Kolumbia dhe Meksika. Analistët thonë se udhëtimet jashtë vendit të kandidatëve presidencialë bëhen në përgjigje të shqetësimeve në rritje mes votuesve amerikanë lidhur me marrëdhëniet e Amerikës me pjesën tjetër të botës.

Porta e Brandenburgut në Berlin nuk është një ndalesë tipike e një fushate presidenciale. Megjithatë, personeli i senatorit Barak Obama propozoi kohët e fundit këtë simbol të Gjermanisë së ndarë si sfondin e një fjalimi të rëndësishëm.

Strategu i Partisë Demokrate, Ted Dëvajn, thotë se një fjalim i tillë për zotin Obama do të ishte shumë i rëndësishëm.

"Porta e Brandenburgut ka qenë vend i fjalimeve shumë të rëndësishme të presidentëve amerikanë nga Xhon Kenedi tek Ronald Regani. Një fjalim i tillë për zotin Obama do të ishte shumë simbolik për vetë mundësinë vizuale që kjo Portë jep."

Planet për të përdorur Portën e Brandenburgut shkaktoi reagime të ashpra nga qeveria gjermane lidhur me çështjen nëse një pikë e rëndësishme historike e Evropës duhet të përdoret nga fushata presidenciale e Shteteve të Bashkuara.

Personeli i fushatës së zotit Obama po përpiqet të gjejë pika të tjera alternativë në Berlin.

Analisti Dëvajn thotë se debati që nxiti kjo ide tregon rreziqet, që ekzistojnë kur kandidatët presidencialë bëjnë fushatë jashtë vendit. Ai thotë se kandidatët presidencialë amerikanë kanë shmangur udhëtimet jashtë vendit për të shpenzuar sa më shumë kohë në vend për fushatë.

"Çdo ditë që një kandidat presidencial e kalon jashtë Shteteve të Bashkuara është një ditë më pak që ai bën fushatë në një shtet të rëndësishëm, para atyre votuesve që mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve".

Megjithatë senatori Obama dhe rivali i tij republikan, senatori Xhon Mekejn kanë përfshirë në rendin e ditës së fushatave të tyre shumë udhëtime jashtë vendit. Kohët e fundit, zoti Mekejn u kthye nga Kolumbia and Meksika, ku ai foli rreth tregëtisë së lirë dhe luftës kundër drogave. Më parë, zoti Mekejn ka shkuar në Irak dhe në Afganistan. Ndërsa zoti Obama do të shkojë këtë muaj në Israel, Bregun Perëndimor, Irak, Afganistan dhe Evropë.

Analistët thonë se të dy kandidatët presidencialë mendojnë se, duke u takuar me udhëheqës botërorë, ata do të tërheqin më shumë votues.

"Veçanërisht në rastin e senatorit Obama, i cili është shumë i ri në skenën politike, mendoj se atij i duhej patjetër të shkonte në shumë pjesë të botës, e sidomos në vende ku nuk ka shkuar fare".

Zoti Hes, analist pranë Institutit Brukings, thotë se senatori Mekejn synon ta vëjë theksin tek përvoja e tij në çështjet ndërkombëtare.

"Zoti Mekejn synon të tregojë se ai ka dijeni, ka përvojë dhe nuk është një politikan i ri, por është një lojtar me përvojë në çështjet ndërkombëtare për Shtetet e Bashkuara".

Analistët thonë se udhëtimet e kandidatëve nëpër botë pasqyrojnë shqetësimin në rritje mes votuesve amerikanë lidhur me marrëdhëniet e Amerikës me pjesën tjetër të botës.

Rik Barton është analist pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare këtu në Uashington.

"Mendoj se shumë amerikanë, pavarësisht nga bindjet e tyre ideologjike, janë të shqetësuar rreth pozitës së Amerikës në botë. Amerikanët nuk duan medoemos të admirohen gjithnjë nëpër botë, por ata mendojnë se të paktën Amerika duhet respektuar dhe duhet parë si një forcë konstruktive".

Nëse udhëtimet e kandidatëve presidencialë shikohen si të sukseshëm, ekspertët thonë se kandidatët në të ardhmen do të ndjekin shembullin e tyre. (ze)

XS
SM
MD
LG