Lidhje

Al Gor: SHBA të investojë në energjinë e ripërtëritshme


Ish zëvendës presidenti Al Gor bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara ta prodhojnë të gjithë energjinë elektrike përmes erës, diellit dhe burimeve të tjera jo të dëmshme për mjedisin brenda 10 vjetësh. Zoti Gor tha se kalimi në këtë lloj energjie jo vetëm që do të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të tanishme energjitike dhe ekonomike të Amerikës, por edhe do të përmirësonte sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke ulur varësinë nga nafta e huaj.


Al Gor pati një pritje të jashtëzakonshme në një konferencë për energjinë në Uashington, ku ai parashtroi një sfidë për vendin.

"Sot unë i bëj sfidë vendit tonë që të përkushtohet në prodhimin e 100 përqind të energjisë sonë elektrike përmes energjisë së ripërtëritshme, të pastër dhe pa burime gazi karbonik brenda 10 vjetësh."

Megjithëse disa kritikë e kanë quajtur njeri alarmant, zoti Gor e ka bërë ndryshimin e klimës globale çështjen e tij kryesore, dhe për këto përpjekje ai fitoi çmimin Nobel. Ai pranoi se në mënyrë që Amerika të lërë pas karburantet nga fosilet do të duhej vendosja e një takse të gazit karbonik nga nafta dhe qymyrguri, çka do të kompensonte uljen e taksave mbi të ardhurat. Por zoti Gor tha se çmimet e larta të naftës dhe kriza e tanishme ekonomike kanë krijuar një mjedis të ri politik ku amerikanët duan ndryshim.

"Nuk mbaj mend ndonjë periudhë tjetër kur në vendin tonë kaq shumë gjëra nuk po shkojnë si duhet në të njëjtën kohë. Ekonomia jonë është në gjendje shumë të keqe dhe po bie edhe më tej, dhe njerëzit po e ndjejnë. Çmimet e naftës po rriten shumë dhe po ashtu edhe ato të energjisë elektrike. Vendet e punës po transferohen jashtë vendit, dhe kreditë e shtëpive janë bërë problematike. Bankat dhe kompanitë automobilistike, si dhe institucionet e tjera tek të cilat varemi janë nën presion të madh."

Zoti Gor u bëri thirrje amerikanëve të mbledhin forcat, duke iu referuar përpjekjeve që bënë të mundur që Neil Armstrong të ecte në hënë vetëm 8 vjet pasi ish presidenti Xhon F. Kenedi e parashtroi këtë sfidë. Ai tha se të dy kanidatët presidencialë, si demokrati Barak Obama ashtu edhe republikani Xhon Mekejn janë shumë përpara shumicës së politikanëve në luftën e tyre kundër ndryshimit të klimës globale.

Por zoti Gore e kritikoi propozimin e presidentit Bush për shpimet pranë bregdetit për naftë si mënyrë për të zgjidhur krizën e tanishme energjitike.

"Vetëm një sistem që nuk funksionon si duhet do ta pranonte logjikën perverse se përgjigja afatshkurtër e çmimeve të larta të naftës është të shposh për naftë pas 10 vjetësh në zona që duhen ruajtur."

Kandidati demokrat për president Barak Obama bëri një deklaratë pas fjalimit, duke thënë se ai është shumë dakort me zotin Gor se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të vazhdojnë shpimet për të arritur pavarësinë energjitike, por duhet të shtojnë investimet në burime të përtëritshme energjie. Zoti Obama tha se kjo është një strategji që do të krijojë miliona vende të reja pune dhe do të lërë pas një botë më të pastër dhe më të sigurt për fëmijët amerikanë. //bsa//

XS
SM
MD
LG