Lidhje

FMN: Ekonomia globale më mirë seç parashikohej


Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi të enjten shifrat e rishikuara për rritjen ekonomike botërore dhe parashikon që rritja ekonomike këtë vit të jetë 4,1 përqind dhe paksa nën 4 për vitin 2009. Ekonomistët e e FMN-së thonë se megjithë ritmin e ngadalshëm të rritjes në ekonomitë perëndimore, në përgjithësi gjendja në botë është mjaft e mirë. Shifrat tregojnë se nuk ka të ngjarë që të ketë ndonjë ngecje ekonomike në botë.

Lajmet e kohëve të fundit mbi ekonominë në Shtetet e Bashkuara nuk kanë qënë inkurajuese. Rënia e një banke të njohur amerikane shkaktoi panik tek shumë klientë. Qeveria amerikane ndërhyri për të shpëtuar nga kriza dy kompani të mëdha huadhënëse. Gjithashtu inflacin është më i larti në dhjetëvjeçarin e fundit.

Megjithatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që rritje ekonomike të jetë më e partë se sa ishte parashikuar tri muaj më parë. Sajmon Xhonson është kryekonomisti i FMN-së, që do të largohet nga posti i tij së shpejti.

"Pasojat e problemeve financiare që filluan verën e kaluar, dhe pikërisht në gusht 2007, po njehen në të gjitha degët e ekonomisë amerikane dhe në ekonomi të tjera të industrializuara. Por në një farë mase më pak se sa e kishim parashikuar. Pra, për sa i përket rritjes ekonomike në tremujorin e parë, lajmet janë të mira."

Një rritje ekonomike, megjithëse e vogël, pritet në Shtetet e Bashkuara për këtë vit, por vitin e ardhëshëm përmirësimi do të jetë edhe më i ndjeshëm. Rritja ekonomike në vendet në zhvillim po vazhdon me një ritëm të kënaqshëm. Në Kinë, prodhimi i përgjithëshëm kombëtar pritet të jetë rreth 10 përqind më i madh, paksa më poshta nga ç'ishte në vitin 2007, kur rritja ishte 12 përqind.

Por zoti Xhonson thotë se monedha kineze është e nënvlerësuar dhe Kina duhet të lejojë ngritjen e saj më me shpejtësi.

Disa ekonomistë e shikojnë shtërngesën e vitit të fundit për kredi, që filloi me tregun e banesave të Shtetet e Bashkuara, se po i afrohet fundit. Një prej tyre është Jozef Akerman, i Bankës Gjermane. Ai paralajmëron se ekonomia botërore ka përballë sfida të reja.

"Ne kemi problemin e ngritjes së çmimeve të artikujve të përditshëm, përfshirë çmimet e ushqimeve dhe të benzinës. Por ashtu problem është vlera e ulët e dollarit."

Në përgjithësi, thonë parashikuesit e ekonomisë, megjithë presionin e pashembullt, ekonomia botërore po ecën me një ritëm më të mirë nga sa pritej tri muaj më parë. //bsa//

XS
SM
MD
LG