Lidhje

Rajs: Vendet që kundërshtojnë pavarësinë, do ta kuptojnë që do të ketë një Kosovë të pavarur


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs tha se vendet që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës do ta kuptojnë që do të ketë një Kosovë të pavarur. Në komentet që bëri në Uashington pas takimit me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe me Kryeministrin Hashim Thaçi, Sekretarja Rajs premtoi se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë me çdo mënyrë shtetin e ri për t’u njohur nga më shumë vende.

Duke qëndruar në mes të Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, zonja Rajs tha se Shtetet e Bashkuara kanë dhënë mbi 1 miliardë dollarë ndihma për Kosovën gjatë dekadës së fundit. Në konferencën e donatorëve të mbajtur në Bruksel më 11 korrik, Uashingtoni përemtoi ndihma që kapnin rreth 400 milion dollarë.

Zonja Rajs se gjatë muajve të parë të pavarësisë, Kosova ka bërë përparim, përfshirë masat e gjera mbrojtëse për komunitetin serb në zbatim të planit Ahtisari.

Zonja Rajs e quajti vizitën e dy udhëheqësve një moment historik për Kosovën. Populli i Kosovës, tha ajo, ka një rrugë të gjatë për të bërë për të ndërtuar demokracinë shumëetnike, por siç kanë treguar shenjat në këta muajt e parë, ata kanë vullnetin, përkushtimin, angazhimin dhe aftësinë për ta bërë këtë. Në këtë rrugë, tha sekretarja amerikane e Shtetit, ata kanë një mik të fuqishëm tek Shtetet e Bashkuara.

E ardhmja e Kosovës, tha zonja Rajs, do të jetë e begatë.

Ajo ka një popull të begatë, një udhëheqje të vendosur dhe miq të vendosur.

“Në se Kosova vazhdon të përqëndrohet në ndërtimin e demokracisë shumë-etnike, në mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe të lirisë fetare, në ngritjen e institucioneve që do të sigurojnë mirëqënie ekonomike, atëhere Kosova do të ketë një të ardhme të begatë. Dhe vendet që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës do ta kuptojnë që do të ketë një Kosovë të pavarur. Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë me çdo mënyrë.”

Ne, tha zonja Rajs, duam të kemi marrëdhënie të mira me Serbinë. E ardhmja si e Kosovës edhe e Serbisë është në Evropë. Ato janë dy vende evropiane.

Në komentet që bëri në konferencën e shtypit, Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se ky është rast jashtëzakonisht i rëndësishëm për të shprehur falënderimet e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për ndihmën dhe mbështetjen e veçantë që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës në rrugëne saj për liri, pavarësi dhe për ndërtimin e një shteti demokratik të të gjithë qytetarëve. Zoti Sejdiu shprehu zotimin se Kosova do të vazhdojë këtë rrugë bashkëpunimi dhe thellimi të marrëdhënieve mes dy vendeve.

"Kosova do të jetë një vend i vlerave më të larta demokratike dhe atdhe i të gjithëve. Kosova do të jetë faktor i rëndësishëm i paqes dhe i qendrueshmërisë", tha Presidenti Sejdiu.

Në komentet e tij, Kryeministri Hashim Thaçi, tha se Kosova, shtet i pavarur sovran dhe demokratik është vend i paqes, i stabilitetit dhe me perspektivë zhvillimi.

“Kosova është në bashkëpunim të shkëlqyeshëm me të gjitha vendet e rajonit, me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi e në të ardhmen e afërt demokratike besojmë edhe me Serbinë.”

Zoti Thaçi tha se delegacioni i Kosovës u zotua për përparim por njeh edhe përgjegjësitë e reja që i dalin përpara. Kosova dhe populli i Kosovës, tha kryeministri Thaçi, përulen para qeverisë dhe popullit amerikan për mbështetjen e tyre.

Sot, në Departamentin e Shtetit, zonja Rajs kryesoi ceremoninë e betimit të zonjës Tina Kaidanov, si ambasadorja e parë e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Vizitat e sotme në Uashington të Presidentit Sejdiu dhe Kryeministrit Thaçi përfshinin edhe një takim në Pentagon me Sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gejts.

Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi do të takohen me Presidentin Bush më 21 korrik në Shtëpinë e Bardhë. Kjo do të jetë vizita e tyre e parë në Uashington, si udhëheqës të shtetit të pavarurur të Kosovës. Pritet që Presidenti Bush t’u shprehë dy udhëheqësve mbështetjen e tij të fortë ndaj përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për krijimin e një shteti demokratik, të begatë dhe shumëetnik, institucionet e të cilit, t’u shërbejnë gjithë qytetarëve të Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG