Lidhje

Vizita e senatorit Obama në Afganistan


Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, u takua me komandantë ushtarakë amerikanë në Afganistan, në fillim të turneut të tij ndërkombëtar që synon pasurojë përvojën e tij në politikën e jashtme. Zoti Obama vizitoi bazën ajrore Bagram në Afganistanin lindor në kuadër të turneut të një delegacioni të Kongresit, që përfshin dy senatorë të tjerë amerikanë. Ushtria amerikane tha se komandantët i informuan senatorët mbi arritjet e deritanishme në angazhimin ushtarak amerikan. Zyrtarët afganë thonë se zoti Obama u takua me Presidentin Hamid Karzai gjatë vizitës së tij. Ai pritet të shkojë edhe në Irak.

Para udhëtimit të tij, zoti Obama u tha gazetarëve se dëshironte të bisedonte me komandantët e të dy fronteve të luftës për t’u informuar më hollësisht rreth shqetësimeve të tyre.

Senatori Obama ka ngritur idenë e tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku dhe rritjen e pranisë ushtarake në Afganistan, të cilin ai e konsideron si front më të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit.

Në një fjalim të shtunën në radio, kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale Xhon Mekein kritikoi Senatorin Obama për deklarimin e një strategjie lufte para se të zhvillonte vizitën.


Vizitat në Afganistan dhe Irak synojnë të përmirësojnë pozitën e Obamës në lidhje me politikën e jashtme. Anketat e opinionit publik tregojnë se votuesit i vënë në pyetje njohuritë e senatorit në politikën e jashtme, megjithëse kandidati Obama ka më shumë përvojë se ç’kishte kandidati Xhorxh Bush kohë më parë.

“Nuk mendoj se Obama ka eksperiencë ndërkombëtare.”

Gazeta Nju Jork Tajms thotë se 300 këshilltarë të politikës së jashtme, shumë prej të cilëve kanë bërë pjesë në administratat e mëparshme, e informojnë zotin Obama çdo ditë rreth ngjarjeve në botë.

Udhëtimi jashtë vendit zhvillohet në një kohë kur rivali i Senatorit Obama e sulmon atë në lidhje me eksperiencën e tij. Senatori Mekejn ka qenë në Irak 8 herë, ndërsa Obama nuk ka qenë për vizitë gjatë dy vjetëve të fundit, ndërsa në Afganistan nuk ka qenë asnjëherë.

Më vjen mirë që do të shkojë në Afganistan, sepse duhej të kishte shkuar shumë kohë më parë nëse ka dashur ta drejtojë këtë vend dhe të garantojë sigurinë kombëtare.”

Obama pritet të takohet me presidentin francez Nikolas Sarkozi dhe udhëheqës të tjerë evropianë. Shtypi ka njoftuar se ai do të vizitojë edhe Izraelin ku do të takohet me kryeministrin Ehud Olmert. Të dy kandidatët presidencialë amerikanë po luftojnë për votat e hebrenjve në Shtetet e Bashkuara.

Njoftimet bëjnë të ditur se zoti Obama do të vizitojë edhe Bregun Perëndimor dhe do të takohet me presidentin palestinez Mahmud Abas.

“Një pjesë e madhe e biznesit diplomatik zhvillohet përmes kontakteve personale. Sa mund t’i besoj këtij njeriu? Çfarë është e rëndësishme për të? Këto duan të dinë udhëheqësit botërorë për një njeri që mund t’i bashkohet rrethit të tyre.”

Por, strategët politikë paralajmërojnë se senatori Mekejn mund të zmadhojë çdo gabim të zotit Obama.

“Në një udhëtim të tillë, në një skenë të tillë nuk ka vend për gabime. Ai duhet të sigurohet se çdo fjalë është e saktë.”

Për Irakun, senatori Obama ka kërkuar tërheqjen e trupave, ndërsa zoti Mekejn e ka kritikuar për mendimet e dhëna para se të vizitojë këtë vend.

“Ai duhet të bisedojë me gjeneralin Dejvid Petreas dhe të marrë vesh se ç’po ndodh. Mendoj se po t’i tërheqë trupat do të ketë kaos.”

Këshilltarët kryesorë të zotit Mekejn e kanë akuzuar zotin Obama se planifikon ta kthejë udhëtimin e tij jashtë vendit në pjesë të lojës për fushatë. //bsa//


XS
SM
MD
LG