Lidhje

Studentët diskutojnë mbi rëndësinë e edukatës seksuale


Marrëdhëniet seksuale, sëmundjet e transmetueshme seksualisht dhe programet për të frenuar marrëdhëniet seksuale, të gjitha këto tema i vënë të rinjtë para dilemash të shumta. Edukata seksuale nëpër shkolla do të ndihmonte në këtë drejtim. E megjithatë kjo është një nga çështjet që shkakton më shumë debate në shkollat publike të Amerikës.

“Marrëdhëniet seksuale janë diçka private”, thotë kjo studente e Universitetit të Merilendit.

Studentë të tjerë e pasojnë duke shprehur mendimet e ndryshme për jetën seksuale, programet e edukatës seksuale në shkolla dhe mënyrën sesi e trajtojnë të rriturit këtë temë që shpesh ështën tabu.

Të gjithë këta të rinj kanë marrë pjesë në lëndën e edukatës seksuale në shkollat amerikane. Këta pesë studentë janë të aktivizuar me organizatën Avokatë për Rininë, një grup që është në mbështetje të edukatës seksuale. Lënda e plotë e edukatës seksuale në Shtetet e Bashkuara përfshin debatin për avantazhet e frenimit, por e vë edhe më shumë theksin tek kontraceptivët, zgjedhjet e ndryshme seksuale, Sida, si edhe çështjet emocionale dhe psikologjike të lidhura me marrëdhëniet seksuale mes adoleshentëve. Programe të tjera të shkollave të mesme trajtojnë vetëm mënyrën e mbrojtjes duke shmangur krejtësisht marrëdhëniet seksuale.

Dekadën e fundit, qeveria amerikane ka akorduar pothuajse 1.3 miliardë dollarë për edukatë seksuale, duke e vënë theksin më shumë tek abstinenca. 17 shtete kanë refuzuar fondet e qeverisë për shkak të kufizimeve që vendos programi.

James Wagoner, president i organizatës “Avokatët për Rininë” beson se gjithçka e ka bazën tek politika.

“Tek politika dhe ideologjia. Nuk ka gjë më tërheqëse për një politikan, sesa një zgjidhje e thjeshtëzuar për një problem kompleks. Kështu ata mund ta paraqesin veten si mbrojtës të moralit duke mbështetur vetëm alternativën e abstinencës”.

Në Shtetet e Bashkuara, prindërit kanë të drejtën të vendosin që fëmijët e tyre të mos marrin pjesë në orët e mësimit kur ata nuk janë dakord me temën. Për shembull disa prindër nuk duan që fëmijët e tyre të marrin pjesë në diskutime për çështje delikate si homoseksualiteti.

Studentët kanë mendime të ndryshme për nevojën e edukatës seksuale në shkolla.

“Ata po arrijnë një moshë kur trupi i tyre po ndryshon dhe janë gjithnjë e më shumë të interesuar për seksin. Dhe shumë prej tyre nuk janë gati”.

“Frenimi i marredhenieve seksuale është mënyra më efektive e mbrojtjes. Por njëkohësisht nëse vendos të kryesh marrëdhënie ka edhe kontraceptivë dhe alternativa të tjera. Të rinjtë duhet të kenë të gjithë informacionin e nevojshëm për të marrë vendime të përgjegjshme”.

“Statistikat tregojnë se një i ri nuk do të shmangë marrëdhëniet thjesht sepse u thonë që duhet ta bëjnë një gjë të tillë”.

Të rinjtë kanë edhe sugjerimet e tyre për tema që duhet të përfshihen në edukatën seksuale.

“Do të ishte e vlefshme, megjithëse e vështirë, që të flitej për lidhjen mes marrëdhënies emocionale dhe atyre seksuale. Kështu bie edhe miti i frutit të ndaluar”.

“Një ditë edhe ne do të bëhemi prindër. Ne do të dimë si t’u flasim fëmijëve, pasi mësojmë si anëtarë të Avokatëve për Rininë. Por shumë prindër thjesht e shmangin këtë temë dhe nuk mund të lejojmë që të na mësojë media”.

“Shumë të rinj po mësojnë për seksin nga media dhe kjo nuk është pozitive. Njerëzit mendojnë për seksin kur shohin një grua me kostum banje në televizion dhe me këto imazhe televizionet nxjerrin fitime. Kjo nuk është rruga e duhur për t’u mësuar të rinjve për seksin”.

“Duhet t’u tregojmë të rinjve që nuk është gabim të flitet për këtë temë, çka do të thotë që mund të diskutojnë për marrëdhëniet seksuale edhe jashtë shkollës, mes miqve, që nuk do të jetë tabu. Do të jetë një pjesë normale e jetës sonë, siç është në të vërtetë. Thjesht duhet të flasim për të”.

11 për qind e të gjitha lindjeve në Shtetet e Bashkuara janë mes adoleshentëve. Megjithëse rastet e këtyre shtatzanive janë pakësuar, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë shifrat më të larta në botën e zhvilluar, me një diferencë të madhe. Një nga krizat e shëndetit është ajo e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, thotë Heather Boonstra e Institutit Guttmacher, që merret me shëndetin seksual dhe riprodhues.

“Sëmundjet seksualisht të transmetueshme janë një problem mbizotërues në këtë vend. Në fakt, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve nxorri kohët e fundit një raport, sipas së cilit një ndër katër adoleshentë kanë një infeksion të transmetuar seksualisht. Disa prej tyre mund të mos japin shenja fare, por disa të tjera mund të jenë shumë serioze”.

Shelbi Noks nga Teksasi, një zëdhënëse e organizatës Avokatët për Rininë është rritur një familje shumë konservatore dhe besimtare.

“Mendoj se ne si vend duhet ta ndryshojmë perspektivën kulturore për marrëdhëniet seksuale, që të mund të gjejmë rrënjët e këtij problemi. Kemi pikëpamje shumë puritane dhe konservatore për këtë temë. Unë i respektoj këto qëndrime, sepse jam rritur në një ambjent të tillë, por gradualisht duhet të fillojmë ta shohim këtë çështje si diçka të lidhur me shëndetin publik dhe ta kuptojmë që heshtja dhe fshehtësia nuk i shërben askujt”.

XS
SM
MD
LG