Lidhje

Thaçi: Kosova do t'i kryej me përgjegjësi të lartë detyrimet e veta


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi takohen të hënën në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Bush. Udhëheqësit e Kosovës ndodhen në Shtetet e Bashkuara në vizitën e tyre të parë zyrtare që pas shpalljes së pavarësisë. Gjatë takimit me udhëdheqësit e Kosovës Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs shprehu angazhimin e qeverisë amerikane për të vazhduar mbështetjen për Kosovën.


Zëri i Amerikës:
Zoti Thaçi, ju jeni Kryeministri i parë i shtetit të pavarur të Kosovës, po ashtu kryeministri i parë që vjen për vizitë zyrtare këtu në Uashington. Si po e përjetoni këtë vizitë?

Hashim Thaçi: Ftesa e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush për të vizituar Uashingtonin, për të pasur takime të një niveli të tillë, është e një rëndësie të veçantë për institucionet dhe popullin e Kosovës, për shtetin tonë të pavarur, sovran dhe demokratik; është vizita e suksesit dhe progresit për Kosovën, është vulosja e këtij suksesi, në fakt, dhe vlerësimi më i lartë që i bëhet udhëheqjes kosovare dhe vlerësimi që i bëhet popullit të Kosovës. Ne, në mënyrë të koordinuar kemi shpallur pavarësinë, kemi menaxhuar në mënyrë të suksesshme gjithë atë proces, pastaj kemi filluar menjëherë implementimin e planit Ahtisari, kemi vazhduar me futjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, një kushtetutë shumë moderne që respekton në kuptimin më afirmativ të mundshëm minoritarët, por edhe kemi vazhduar me suksesin tjetër të jashtëzakonshëm, konferencën e donatorëve, prej së cilës Kosova ishte një përfituese e merituar dhe e madhe. Tash takimet që po zhvillojmë në Uashington, janë takime të vlerësimit të suksesit, janë takime të zotimeve tona, por janë edhe takime, ku do të shprehim prioritetet dhe dilemat apo shqetësimet tona si institucione të vendit. Ne kemi prezantuar edhe në takimin me Sekretaren e Shtetit, Rajs, edhe në takimin me Sekretarin e Mbrojtjes, Gejts, gjithë përkushtimin që kemi treguar si institucione për instalimin e qeverisjes së mirë në Kosovë, për sundimin e ligjit, për funksionimin demokratik dhe efektiv të të gjitha institucioneve qendrore dhe lokale, për respektimin e të gjithë minoritarëve, që Kosovën ta ndërtojmë si vend demokratik, si atdhe të të gjithë qytetarëve, dhe zotimin tonë për të vazhduar së ndërtuari raportet e shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit, me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe në të ardhmen edhe me Serbinë; por edhe kemi marrë konfirmimin në këto dy takime të rëndësisë së veçantë, se Kosova do të vazhdojë të ketë përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por në të njëjtën kohë do të respektohet dhe do të garantohet integriteti territorial i shtetit të pavarur, sovran të Kosovës. Ky bashkëpunim do të vazhdojë, dhe natyrisht se do të kulmojë nesër në takimin me Presidentin Bush.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, qeveria juaj ndërsa ka fatin historik të jetë qeveria e parë e shtetit të pavarur të Kosovës, ka po ashtu edhe përgjegjësinë dhe barrën për të treguar që ky shtet i ri do të jetë i suksesshëm. Kosova sot ndeshet me një sërë problemesh. Çfarë planesh ka qeveria juaj për ta nxjerrë Kosovën nga këto vështirësi të mëdha?

Hashim Thaçi: Në fakt Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë i kanë besuar Kosovës, i kanë besuar popullit të Kosovës për orientimin e tyre pro-perëndimor. Që nga administrata e Presidentit të parë Bush, pastaj përkushtimet konkrete për çlirimin e Kosovës, për fillimin e bombardimeve të Presidentit Klinton, por edhe tani të Presidentit aktual Bush, që do të thotë se është një marrëdhënie historike e suksesit të përbashkët. Është një fat historik, por në të njëjtën kohë është meritë dhe përgjegjësi për atë që kemi bërë në Kosovë, sepse tek e fundit, populli i Kosovës i ka zgjedhur njerëzit e vet për të udhëhequr, për të marrë vendime, të cilat i kemi marrë. Do të kemi tash ballafaqimin tjetër, pas tranzicionit demokratik, atë të zhvillimit ekonomik, të sundimit të ligjit dhe të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe hapjes së perspektivës së Kosovës për t'u integruar në Nato dhe Bashkimin Evropian. Do të ketë sfida dhe vështirësi, por jam i bindur në suksesin e plotë të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Kosova në Konferencën e donatorëve siguroi gati 2 miliard dollarë ndihma. Cilat do të jenë disa nga projektet më të mëdha dhe më urgjente që pritet të ndërmarrë qeveria e Kosovës?

Hashim Thaçi:Kjo konferencë ishte konferencë e suksesit të plotë dhe mbështetjës së re ndërkombëtare për Kosovën në sajë të qeverisjes së mirë dhe efikasitetin që kemi treguar, tolerancës që kemi treguar edhe për minoritarë por para së gjithash mbështetje e vizionit që kemi për zhvillim dhe integrim. Ne do të fokusohemi në ndërtimin e infrastrukturës ligjore sipas standardeve europiane. Do të përqëndrohemi para së gjithash në edukim, investime në shëndetësi, infrastruktuën rrugore, ambient, agrikulturë dhe shumë e shumë sfera të tjera të jetës institucionale dhe shoqërore që të punojmë dhe modernizojmë Kosovën, në mënyrë që çdo qytetar i Kosovës të ndihet mirë që është qytetar i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, një nga synimet e qeverisë suaj është njohja e Kosovës nga më shumë shtete por deri më sot Kosova ende nuk a ka hapur ambasadën e parë. Kur pritet të ndodhë kjo?

Hashim Thaçi: Vendimet për hapjen e misioneve diplomatike tanimë janë marrë nga institucionet e Republikës së Kosovës. Së shpejti do të emërohen edhe përfaqsuesit e këtyre misioneve. Në të ardhmen e afërt do të hapen ambasada në 10 vende të botës, duke përfshirë edhe Uashingtonin. Njohjet janë duke vazhduar dhe nëse bëjmë një krahasim me vendet e tjera të ish-Jugosllavisë për periudhën kohore, mendoj që për Kosovën ka ndodhur një mrekulli. Kemi njohje prej dy të tretave të vendeve të Bashkimit Europian dhe NATO-s, të Japonisë, Shteteve të Bashkuara të shtatë vendeve nga G8. Siç tha edhe sekretarja Rajs, për Kosovën njohjet do të vazhdojnë. Gjithë ky përkushtim është edhe në këtë drejtim dhe takimet me zonjën Rajs dhe zotin Gejts, si dhe takimi me presidentin Bush shkojnë në drejtim të vazhdimit të mbështetjes së Kosovës por edhe për njohje të reja për shtetin e pavarur të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Vizita juaj kulmon nesër me takimin me presidentin Bush. Çfarë prisni ju nga ky takim?

Hashim Thaçi:Ne do ta falenderojmë presidentin Bush për vendosmërinë e tij që ka treguar për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Për mbështetjen që Kosova të bëhet shtet dhe me përgjegjësi të lartë mund ta them se ky proamerikanizëm në Kosovë është një kulturë edhe qytetare, edhe politike dhe kjo është një kulturë që duhet ta kultivojmë ne si lidership dhe si popull. Relacionet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të njohin vetëm rritje dhe do të jenë raporte të respektit reciprok dhe Kosova do të jetë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara për jetë e mot për mbështetjen e tyre të pakursyer në të gjitha kohërat dhe rrethanat që ka kaluar Kosova. Para së gjithash do ta falenderojmë edhe për zotimet e reja në mbështetje të Kosovës për t'u integruar në Nato dhe Bashkim Europian. Por edhe Kosova ka pëgjegjësitë e veta të cilat do t'i kryej me përgjegjësi të lartë shtetërore në veçanti të përkushtimit në luftën kundër terrorizmit global, grupeve fundamentaliste, krimit të organizuar, korrupsionit, të sundimit të ligjit dhe vazhdimit të qeverisjes së mirë. Këtë e kam konfirmuar në emër të qeverisë së Kosovës, do ta konfirmoj edhe nesër në takimin me presidentin Bush, se në këtë drejtim për Kosovën nuk ka dilema por ka vetëm përgjegjësi të reja dhe vizion të qartë pro perendimor dhe raporte të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.//IB

XS
SM
MD
LG