Lidhje

Presidenti Bush takon udhëheqësit e Kosovës, rikonfirmon mbështetjen për pavarësinë


Presidenti amerikan Xhorxh Bush rikonfirmoi mbëshetjen e tij për pavarësinë e Kosovës dhe tërësinë territoriale të saj pas takimit me Presidentin e Kosovës Fatmir Sajdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi.

"Unë jam një përkrahës i fortë i pavarësisë së Kosovës. Unë jam kundër çdo ndarje të Kosovës", tha Presidenti Bush pas takimit në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Bush shtoi se misioni i Kombeve të Bashkuara duhet t’i transferohet misionit të BE-së, EULEX-it, sa më shpejt që të jetë e mundur.

"Unë dua t’ju falenderoj për përkrahjen e të drejtave të pakicave dhe për zbatimin e plotë të planit Ahtisari. Ne diskutuam për një sërë çështjesh. Ne diskutuam për problemet me të cilat ndeshet Kosova sot, dëshirën e saj për t’u njohur nga sa më shumë vende. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me ato vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës për t’i bindur ato, që ta njohin sa më shpejt, që të jetë e mundur", tha zoti Bush.

Ai shtoi se në takim u diskutua për ekonominë, arsimin, si dhe për aspiratat trans-atlantike si të Kosovës edhe të Serbisë, që Shtetet e Bashkuara i mbështesin në të dyja rastet.

"U theksova dy udhëheqësve që ata ishin ulur poshtë portretit të Xhorxh Uashingtonit, themeluesit të Shteteve të Bashkuara në liri. Unë e vlerësoj kurajon tuaj, rolin tuaj udhëheqës dhe po ju shpreh angazhimin e Shteteve të Bashkuara se ne do t’ju ndihmojmë për realizimin e endrrave tuaja", përfundoi zoti Bush.

Udhëheqësit e Kosovës, shprehën mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara dhe u angazhuan për ndërtimin e një shoqërie demokratike, që do të respektojë të drejtat e pakicave dhe dëshirën e krijimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Serbinë.

Takimi me Presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë ishte pika kulmore e vizitës së udhëheqësve të Kosovës, Presidentit Sejdiu dhe Kryeministrin Thaçi, gjatë së cilës ata u takuan edhe me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs dhe Sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gates. //kk//

XS
SM
MD
LG