Lidhje

Gazetarë izraelitë, iranianë dhe arabë diskutojnë programin e raketave të Teheranit


Provat e Iranit me raketa balistike me rreze të gjatë veprimi kohët e fundit i kanë rritur tensionet mes Teheranit dhe Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe madje edhe shteteve arabe në rajon. Megjithatë, duke bërë një kthesë të dukshme nga politika e mëparshme, administrata e presidentit Bush autorizoi kontaktin më domethënës diplomatik me Iranin që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, dhe dërgoi një përfaqësues të lartë në bisedimet ndërkombëtare në Gjenevë për programin bërthamor të Iranit.

Gjatë vizitës së saj në ish republikën sovietike të Gjeorgjisë javën e kaluar, sekretarja e shtetit Kondoliza Rajs premtoi se Shtetet e Bashkuara do t'i mbronin aleatët dhe interesat e tyre ndaj çdo kërcënimi në Gjirin Persik. Ky paralajmërim erdhi në përgjigje të provave me raketa të Iranit, duke përfshirë ato që mund të arrinin deri në Izrael. Pas kësaj, agjencia franceze e lajmeve AFP publikoi një fotografi të marrë nga media shtetërore iraniane, për të cilën ekspertët thonë se është ndryshuar në mënyrë dixhitale për të treguar raketa më të mëdha se ato që janë lëshuar në të vërtetë. Arsyeja, thonë disa ekspertë, është të krijohej përshtypja se programi iranian i raketave është më i avancuar seç është në realitet.

Amir Oren, i së përditshmes izraelite Haaretz thotë se programi iranian i raketave si i tillë nuk përbën kërcënim ndaj ekzistencës së Izraelit.

"Por po të mendohet se çfarë mund të kenë ata brenda dy vjetësh, pra mbushje bërthamore, ai do të përbënte kërcënimin më të madh ndaj Izraelit gjatë 60 vjetëve të ekzistencës së tij. Prandaj shteti izraelit po përgatitet për këtë ditë. Ata duan t'i tregojnë botës se kanë armë të fuqishme dhe mund t'i përdorin për t'u hakmarrë kundër kujtdo që përpiqet t'i sulmojë. Kjo është pjesë e planit për të fituar kohë deri sa administrata e presidentit Bush të largohet dhe të vijë një administratë e re në Uashington, sepse kushdo që të jetë presidenti i ardhshëm, ai nuk do ta kundërshtojë programin e tyre bërthamor aq sa presidenti Bush".

Gazetari iranian Ali-Reza Nurizadeh, i cili drejton Qendrën për studime arabe dhe iraniane në Londër është dakord se Teherani mund ta ketë ekzagjeruar rrezen dhe saktësinë e raketave të tij. Megjithatë, ai thotë se kjo mund të paraqesë kërcënim.

"Edhe nëse këto raketa nuk janë të sakta, ato janë prapë të rrezikshme. Ato mbajnë qindra kilogram eksplozivë që mund të zëvendësohen me mbushje kimike dhe biologjike. Prandaj janë të rrezikshme dhe jam i sigurt se Izraeli dhe Amerika po e shohin këtë çështje me shqetësim".

Nadia Bilbasi, korrespondente në Qendrën e Transmetimeve për Lindjen e Mesme, thotë se megjithëse popujt në botën arabe e shohin situatën e tanishme më shumë si luftë psikologjike, ata gjithsesi shqetësohen nga kërcënimi që mund të përbëjë Irani në të ardhmen.

"Mendoj se nga të gjitha palët kjo bëhet thjesht për demonstrim force. Iranianët kanë komentuar shpesh publikisht për pamundësinë e Shteteve të Bashkuara për t'i sulmuar ata. Por nuk ka dyshim se shumica e shteteve të Gjirit janë shumë të shqetësuara për daljen e Iranit si superfuqi në rajon".

Po, a është e mundur të parandalohet prodhimi i armëve bërthamore iraniane? Disa analistë e vënë këtë në dyshim. Nadia Bilbasi thotë se fuqitë suni në rajon, veçanërisht Arabia Saudite dhe Egjipti do të ndjeheshin në këtë rast, të dobëta. Dhe sipas saj, me Izraelin e armatosur deri në dhëmbë, e vetmja rrugëdalje do të ishte prodhimi apo blerja e armëve të tyre bërthamore. Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse Irani përbën kërcënim. //iç//

XS
SM
MD
LG