Lidhje

Ekspertët: Vizita e delegacionit të Kosovës në Uashington, me rëndësi të veçantë


Çfarë rëndësie ka takimi i udhëheqësve të Kosovës këtu në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Bush? A është ky më tepër një takim simbolik? A do të ketë ky takim ndonjë ndikim në njohjen e Kosovës nga vende të tjera?

Daniel Server, ekspert i Institutit amerikan të Paqes mendon se kjo vizitë është e një rëndësie të veçantë e cila e konfirmon edhe një herë Kosovën si një vend që pranohet në bashkësinë e shteteve.

"Kjo është një simbolikë e rëndësishme që presidenti i Shteteve të Bashkuara pret udhëheqësit e Kosovës. Kjo nuk simbolizon vetëm pavarësinë e Kosovës por edhe mardhëniet e fuqishme dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, gjë që kosovarët e çmojnë shumë".

Ftesa për vizitën e udhëheqëve të Kosovës u bë publike nga Shtëpia e Bardhë në ditën kur u mbajt Konferenca e donatorëve për Kosovën, ku sipas analistëve shuma e ofruar nga donatorët ishte më e madhe se sa pritej. Shtetet e Bashkuara premtuan një ndihmë prej 400 milion dollarësh, që siç u shpreh sekretarja e shtetit Rice gjatë konferencës për shtyp me udhëheqësit e Kosovës, është edhe një shenjë e përkushtimit amerikan për Kosovën.

Udhëheqësit kosovarë nga ana tjetër e quajtën suksesin në konferencën e donatorëve si një arritje të punës që kanë bërë institucionet kosovare.

Edhe takimi me presidentin Bush, sipas zotit Serwer, është një lloj shpërblimi për punën që kanë bërë udhëheqësit e Kosovës që nga shpallja e Pavarsisë.

"Mendoj se këtu në Washington ekziston opinioni se duhet të njihet puna e mirë që kanë bërë udhëheqësit e Kosovës që nga shpallja e pavarsisë së Kosovës".

Shtetet e Bashkuara po i presin udhëheqësit kosovarë me protokoll shtetëror - një simbolizëm tjetër ky për Kosovën si vend anëtar i familjes së shteteve.

Ish shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen mendon se kjo vizitë është një mesazh i fuqishëm që Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të dërgojnë në bashkësinë ndërkombëtare për Kosovën dhe pavarësinë e saj.

"Ky është një konfirmim i qartë i Kosovës si një shtet i pavarur. Mendoj se kjo është një vizitë shumë e rëndësishme dhe padyshim që nuk do të kalojë pa u vënë re edhe në shumë pjesë të tjera të botës. Ky është edhe një hap i Kosovës drejt konsolidimit të pavarsisë së saj".

Vizita e udhëheqësve kosovarë në Shtëpinë e Bardhë dhe takimi i tyre me presidentin Bush, mendohet nga analistët se mund t’i japë një shtytje njohjes së pavarsisë së Kosovës nga vende të tjera. Por zoti Petersen mendon se kjo para së gjithash do të jetë një detyrë e cila do të varet kryesisht nga udhëheqësit e Kosovës dhe puna që do të bëjnë ata.

"Ekziston nevoja që të punohet shumë që Kosova të njihet edhe nga vende të tjera. Është shumë e rëndësishme që deri në shtator të arrihet ajo që unë e quaj masë kritike e njohjes. Nuk kam dyshim se kjo do të arrihet por nuk do të bëhet vetvetiu. Ajo do të bëhet me një punë të madhe dhe strategji të qartë nga udhëheqësit e Kosovës".

Kosovën deri tani e kanë njohur më shumë se 40 vende dhe njohja nga shtetet e reja ka qenë një temë debati në Kosovë dhe jashtë saj. Qeveria e Kosovës ka premtuar se deri në shtator Kosova do të njihet nga më tepër se 100 shtete. Vizita e presidentit Sejdiu dhedhe e kryeministrit Thaçinë Shtëpinë e Bardhë, sipas analistëve, do t'i japë Kosovës edhe një shtytje në arenën ndërkombëtare.

Takimi i udhëheqësve të Kosovës këtu në Shtëpinë e Bardhë me simbolikën e tij para së gjithash është një takim historik i cili sipas analistëve vë edhe një gur në themelet e pavarësisë së Kosovës.(ze)

XS
SM
MD
LG