Lidhje

Reagime nga e gjithë bota rreth arrestimit të Radovan Karaxhiçit


Shtetet e Bashkuara, OKB-ja dhe Këshilli i Evropës e përshëndetën arrestimin e ish-udhëheqësit serb të Bosnjes, Radovan Karaxhiç. Bashkimi Evropian e cilësoi atë si një hap kyç drejt ripajtimit në Ballkanin perëndimor si dhe për shpresat e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE. Në Serbi pati nga ata që e pritën të zhgënjyer lajmin e arrestimit të tij.

Një zëdhënës i Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi tha se arrestimi i Karaxhiçit, arkitekti i akuzuar për krime lufte, përfshirë edhe masakrën më të rëndë të Evropës, që nga Lufta e Dytë Botërore, është një hap madhor në drejtësinë ndërkombëtare pasi tregon qartë se askush nuk është i paprekshëm nga ligji.

I akuzuar për organizimin e rrethimit të Sarajevës dhe për masakrën më 1995 të 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë, Karaxhiçi ishte në krye të listës së më të kërkuarve të Gjyaktës së Hagës për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi.

Shtetet e Bashkuara e përshëndetën lajmin e arrestimit. Shtëpia e Bardhë tha se përshëndet qeverinë e Serbisë dhe forcat që e kapën Karaxhiçin për guximin e tyre. Deklarata e cilëson arrestimin si një demonstrim i rëndësishëm i angazhimit të Serbisë për të bashkëpunuar me Gjykatën e Kombeve të Bashkuara.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Medllin Ollbrajt, mirëpriti lajmin për arrestimin e Karaxhiçit, duke e quajtur atë ngjarrje historike, që shënon një pikë-kthesë.

“Kjo është me të vërtetë një ngjarrje historike. Jam shumë e gëzuar për këtë lajm dhe për qeverinë e Serbisë që arriti të arrestojë Karaxhiçin. Mendoj se ky hap do ta ndihmojë Serbinë të dalë nga izolimi dhe të bëhet pjesë e Evropës”.

Zonja Ollbrajt e cilësoi arrertimin e Karaxhiçit si një ngjarrje shumë të rëndësishme edhe për vetë popullin serb.

Duke folur në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel, Shefi i Politikës së Jashtme, Havier Solana, u tha gazetarëve se arrestimi i Karaxhiçit ishte një lajm shumë i mirë.

“Është shumë e rëndësishme që Radovan Karaxhiçi do të shkojë në Hagë, ku do t’i zhvillohet një gjyq i drejtë. Autoritetet serbe vepruan ashtu siç duhet”.

Edhe ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, përshëndeti qeverinë e Beogradit.

“Qeveria e zotit Tadiç ka bashkëpunuar shumë. Beogradi u zotua se do të bashkëpunonte dhe u përpoq të bindte disa prej kolegëve tanë, të cilët e kushtëzuan Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit për Serbinë me arrestimin e kriminelëve të luftës”.

Bashkimi Evropian dhe Serbia nënshkruan në prill një pakt për tregëtinë dhe ndihmat para anëtarësimit, por BE-ja tha se marrëveshja do të hynte në fuqi pasi Beogradi të dorëzonte në Hagë Radovan Karaxhiçin dhe të dyshuarit e tjerë të akuzuar për krime lufte.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, u tha gazetarëve në Bruksel se vendi i tij e shikon me shumë seriozitet anëtarësimin në BE.

“Ne e treguam këtë dje, ne duam të jemi anëtar të Bashkimit Evropian, ne duam të jemi gurëthemel i paqes dhe një lojtar për qëndrueshmërinë rajonale. Ne jemi me të vërtetë të angazhuar për paqen dhe shtetin juridik”, tha ministri i jashtëm serb.

Serbisë iu bë presion i madh nga Bashkimi Evropian për të dorëzuar të dyshuarit për krime lufte në Gjykatën e Hagës, e cila kishte ngritur padi ndaj Karaxhiçit për gjenocid. Kjo gjykatë e përshkroi Karaxhiçin si organizatorin e “skenave nga ferri, të shkruara në faqet më të errëta të historisë njerzore.

Arrestimi i ish-udhëheqësit serb të Bosnjes u prit me gëzim nga të mbijetuarit e masakrës së Srebrenicës, si për shembull, Hariz Halil Oviç, i cili jeton në Australi dhe tha se ishte mbushur si me gëzim edhe me trishtim kur mësoi lajmin.

“Kur mendoj se ç’do të thotë Karaxhiçi për mua, familjen time dhe të gjithë të mbijetuarit e Srebrenicës, menjëherë më përfshin trishtimi. Ai ka qënë për ne personifikim i së keqes. Ai mban përgjegjësi drejtpërdrejtë për krimet dhe vrasjet, që ndodhën në Srebrenicë dhe në mbarë Bosnjes.”

Por pati edhe nga ata, që nuk e pritën mirë lajmin e arrestimit të Karaxhiçit, madje kritikuan qeverinë e zotit Tadiç. Ja si u shprehën dy banorë të Pales, baza e Karaxhiçit.

“Jam shastisur. Ky është turp për qeverinë serbe dhe turp për popullin serb. Shpresoj të paktën që familja e Karaxhiçit të mos keqtrajtohet më nga trupat e NATO-s”.

“Jan krejtësisht i tmerruar. Kjo është çmënduri, veçanërisht tani që dëgjoj njoftimet e medias”.

Radovan Karaxhiç, i cili u shpëtoi autoriteteve për rreth 13 vjet, pritet të mbizotërojë tani mjetet e shtypit me një proces të gjatë gjyqësor. (ze)

XS
SM
MD
LG