Lidhje

Beograd: Zannier takohet me zyrtarë të qeverisë serbe


Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zannier, u takua sot në Beograd me zyrtarë të qeverisë serbe me të cilët diskutoi për mundësinë e fillimit të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për çështje të interesit të përbashkët.

Sipas njoftimeve të ministrisë së jashtme të Serbisë, shefi i UNMIK-ut ka deklaruar se Misioni i tij në Kosovë do të vazhdojë të mbajë qëndrim neutral sa i përket statusit të Kosovës dhe do të veprojë nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Në takimin me Ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, dhe ministrin për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, shefi i UNMIK-ut ka theksuar se synim i misionit të tij është ruajtja e paqes dhe e qëndrueshmërisë në rajon.

Ministrat serbë ndërkaq shprehën pakënaqësinë e tyre për vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon për ristrukturimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, pa vendimin e Këshillit të Sigurimit.

Plani i Sekretarit të Përgjithshëm për ristrukturimin e UNMIK-ut parasheh edhe një seri bisedimesh ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e çështjeve të interesit të përbashkët e që përfshijnë disa fusha, si, sundimin e ligjit, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, doganat e transportet.

Autoritetet në Prishtinë thonë se janë të gatshëm të bisedojnë me Beogradin për të gjitha çështjet e hapura ndërmjet dy vendeve të pavarura, por nuk mund të ketë kurrfarë bisedimesh për statusin tashmë të zgjidhur të Kosovës. //ii

XS
SM
MD
LG