Lidhje

Avokati i Karaxhiçit beson se klienti i tij do të lirohet nga akuzuat


Avokati i Radovan Karaxhiçit thotë se ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjes beson se do të lirohet nga akuzuat për gjenocid. Svetozar Vujasiç thotë se Karaxhiç do të konsultohet me një ekip juristësh për t'u vetëmbrojtur. Ai tha po ashtu se klienti i tij ka besim se me ndihmën e zotit ai do të dalë i pafajshëm.

Karaxhiçi u arrestua të hënën në afërsi të Beogradit dhe mund të ekstradohet brenda pak ditësh në Hagë. Fakti që ka qendruar i feshur prej afro 13 vjetësh duke punuar dhe jetuar në Beograd i maskuar, ka ngritur pytje se kush ka patur dijeni, pse u arrestua tani dhe nëse ish komandanti i tij ushtarak Ratko Mlladiç mund të ketë së shpejti të njëjtin fat.

Burri me mjekër të thinjur, flokëgjatë dhe syze të trasha, përdorte emrin Dragan Dabic dhe mesa duket nuk kishte hasur pengesa në përdorimin e aftësive të veta si një mjek popullor. Maskimi e ndihmoi mjaft të jetonte dhe punonte në Beograd dhe madje fqinjët e tij thonë se nuk kishin dijeni që pas mjekërrës së stergjatur dhe flokëve të thinjuara fshihej Radovan Karaxhiçi - dikur udhëheqës i serbëve të Bosnjës dhe tani i kërkuar për krime lufte. Por Radovan Karaxhiçit i erdhi fundi.

Zyrtarët serbë, siç dëgjohen këtu përmes përkthyesit, njoftuan se Karaxhiçi ishte arrestuar, marrë në pyetje, i ishte rikthyer identiteti i vërtetë dhe më pas i ishte transmetuar akuza nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve.

Udhëheqësit perëdimorë e mirëpritën arrestimin dhe shumë theksuan se kjo ishte një provë se qeveria e sapozgjedhur serbe e presidentit Boris Tadiç ishte e vendosur për të bashkëpunuar me gjykatën e Hagës dhe për ta çuar Serbinë drejt Bashkimit Evropian. Xhejms Lion është një analist me përvojë i çështjeve ballkanike me Grupin Ndërkombëtar të Krizave. Në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Beogradi, zoti Lion tha se nuk ka dyshim që presidenti Tadiç dhe partia e tij janë të vendosura drejt Evropës, por ai shton se nuk është e sigurtë që Karaxhiçin e arrestuan ata.

"Vështirësia është se ata nuk patën kohë të mjaftueshme në pushtet për të forcuar pozitat mbi forcat e rendit apo policinë sekrete. Duhet patur parasysh se sapo emëruan drejtorin e policisë sekrete, katër ditë para arrestimit të Karaxhiçit. Është e qartë se nuk ishte kohë e mjaftueshme për të arritur këtë".

Shrohet pyetja, kush vendosi se kishte ardhur koha për ta dorëzuar Karaxhiçin. Analsiti për Ballkanin Svetozar Rajak me Fakultetin Ekonomik të Londrës thotë se ndërkohë që qeveria nuk kishte kohë për organizimin e operacionit, disa individë mund të kenë patur.

"Dihet se drejtuesi i mëparshëm i sherbimeve të zbulimit, zoti Bilatoviç ishte lavdëruar në të kaluarën madje edhe nga Karla del Ponte për bashkëpunimin me sherbimet perëndimore të zbulimit për ndjekjen dhe kapjen e Karaxhiçit dhe Ratko Mlladiçit".

Rajak thotë se është mëse e qartë se një numër i caktuar njerëzish në aparatin e zbulimit duhet ta kenë ditur që Karaxhiçi fshihej në mesin e tyre.

"Që të fshihesh kaq gjatë si një nga më të kërkuarit në botë, do të duheshin operacione komplekse dhe eksperte zbulimi dhe është shumë e kushtueshme dhe kërkon një organizim të mirë e shumë gjëra të tjera".

Pytjet se kush e dinte dhe prej sa kohësh, dhe se kush e dorëzoi do vazhdojnë të mbeten pa përgjigje. Por, thotë Xhejms Lion, qeveria serbe perseri duhet lavdëruar.

"Është e rendësishme të thuhet se Serbia e kapi atë. Kjo është gjeja e parë dhe më e rendësishmja. Si dhe pse e bënë nuk është e rendësishme".

Qeveria serbe ka thënë se po përgatitet të ekstradojë Karaxhiçin në Hagë. Ai përballet me akuza për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për veprimtarinë e tij në luftën e Bosnjës në vitet 90-të. Ai dhe ish komandati ushtarak, Ratko Mlladiç janë të lidhur me masakrën e Srebrenicës në 1995 ku 8 mijë burra dhe djem mysliman u vranë. Gjatë katër vitesh shtetrrethim të kryeqytetit Sarajevë, rreth dhjetë mijë vetë u vranë. Ndërkohë që Mladiçi vazhdon të jetojë i fshehur, Xhejms Lion thotë se duhet të vazhdojë presioni për arrestimin e tij.

"Për vite me rradhë, Serbia gjithnjë ka thënë se nuk ka kriminelë lufte që fshihen në Serbi. Megjithatë ata vazhdojnë t'i kapin ata ndërkohë që ndryshojnë valët politike. Ndaj është mëse e qartë se Ratko Mlladiçi gjendet në Serbi. Ai mund të arrestohet nga autoritetet serbe, nëse egziston dëshira politike. Pra kësaj duhet t'i vijë fundi, vetëm dy kanë ngelur".

I kërkuari i dytë dhe i fundit nga gjykata e Hagës është udhëheqësi serb i Kroacisë Goran Haxhiç. //iç//

XS
SM
MD
LG