Lidhje

Studjuesit: Rritje e numrit të imigrantëve të infektuar me tuberkuloz

  • Xhezika Bërmën

Sipas një studimi të botuar në Revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, është regjistruar një rritje e numrit të shtetasve të huaj me banim në Shtetet e Bashkuara, të cilët janë të infektuar nga tuberkulozi. Autorët e studimit propozojnë një strategji për të vënë nën kontroll këtë sëmundje ndër grupet më të rrezikuara nga infektimi.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Atlanta të Xhorxhias, numri i rasteve të tuberkulozit në Shtetet e Bashkuara u pakësua 45 për qind nga viti 1996 deri në vitin 2006.

Zyrtarët thonë se ky pakësim u regjistrua në masë dërrmuese ndër personat e lindur në Shtetet e Bashkuara. Por ata thonë se gjatë së njëjtës periudhë është vërejtur ndërkaq se rastet e tuberkulozit ndër popullatën imigrante që jeton në Shtetet e Bashkuara janë shtuar 5 për qind.

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë thonë se shqetësimi i tyre kryesor është përhapja e virusit joaktiv që sjellin në Shtetet e Bashkuara individë të ndryshëm nga vende të tjera, pa shfaqur simptoma të dukshme.

Kevin Kejn është shefi i Departamentit për Eliminimin e Tuberkulozit pranë Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Ai thotë se zyrtarët duan të shtojnë përpjekjet për të zbuluar individë që futen në Shtetet e Bashkuara të infektuar me virus joaktiv. Ai ka udhëhequr një studim mbi 49 mijë e 970 raste infektimesh që janë raportuar pranë Qendrës për Parandalimin e sëmundjeve nga viti 2001 deri në 2006. Studimi përqendrohej në vendin nga kishin ardhur imigrantët dhe moshën në momentin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara:

"Zbuluam nga ky studim se mbi gjysma e rasteve të tuberkulozit në radhët e individëve të huaj shfaqet në afro 20 për qind të popullatës që ka lindur jashtë kufijve amerikanë. Këtu përfshihen kryesisht persona të lindur në Azinë Juglindore, Afrikën Nënsahariane dhe Azinë Jugore."

Zoti Kejn thotë se është e pamundur të bëhen analizat mjekësore të 37 milionë individëve të lindur jashtë Shteteve të Bashkuara, që aktualisht jetonë në Amerikë. Por zbulimet do t'i ndihmojnë zyrtarët të shfrytëzojnë më mirë burimet në luftën kundër tuberkulozit.

"Mendojmë se ky është një studim i dobishëm pasi, megjithëse mund të jetë e pamundur të bëjmë analizat e të gjithë personave që nuk kanë lindur në tokë amerikane për të parë mos bartin virus joaktiv, mund të krijojmë megjithatë programe që përqendrohen në grupet më të rrezikuara nga infektimi dhe të gjejmë metoda për analizat dhe mjekimin e këtyre individëve. Në këtë mënyrë do të mund të parandalojmë sa më shumë raste infektimi që të jetë e mundur."

Por zoti Kejn thotë se mbrojtja më e mirë nga tuberkulozi është zhdukja globale e sëmundjes.//lk

XS
SM
MD
LG