Lidhje

Turneu i Barak Obamës ndesh në kritikat e rivalit të tij Mekein


Kandidati demokrat për president i Shteteve të Bashkuara, Senatori Barak Obama, në kuadrin e turneut të tij nëpër botë, pas vizitave në Afganistan, Irak dhe Izrael dje mbërriti në Evropë. Në çdo vend që ka vizituar, Senatori Obama është trajtuar si një kryetar i mundshëm shteti; turneu i tij është mbuluar gjerësisht nga media. Si reagim ndaj turneut të zotit Obama, kandidati republikan për president, Xhon Mekein, bëri disa kritika ndaj rivalit të tij demokrat.

Evropa po e mirëpret kandidatin për president të Shteteve të Bashkuara, senatorin Barak Obama, me turma entuziaste dhe takime me zyrtarët të lartë.

Ai mbërriti në Berlin pas një ndalese në Izrael dhe në Rripin e Gazës, ku u takua me udhëheqësit izraelitë dhe ata palestinezë. Pas takimit, ai mbajti një konferencë shtypi në qytetin izraelit Sderot. Ai i siguroi izraelitët dhe votuesit hebrej në Shtetet e Bashkuara, se në se zgjidhet president, administrata e tij do të ketë një politikë afatgjatë për rajonin.

Amerika duhet të qëndrojë gjithmonë përkrah të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur nga rreziqet që kanosin popullin e tij”.

Kandidati demokrat për president, mbështeti gjithashtu shpresat e palestinezëve për shtetin e tyre.

Ne nuk na duhet një marrëveshje paqeje vetëm në letër, që nuk çon në paqe. Ne kemi nevojë për një marrëveshje domethënëse si për izraelitët edhe për palestinezët”.

Zoti Obama tha po ashtu se qëndrimi amerikan ndaj Iranit do të mbetet i pandryshuar.

“Një Iran me armë bërthamore do të krijonte një situatë të pasigurtë jo vetëm në Lindjen e Mesme, por në mbarë botën”.

Gjatë vizitës në Jordani, Barak Obama përsëriti përkushtimin e tij për pakësimin e ndjeshëm të trupave amerikane në Irak deri në vitin 2010.

“Mënyra më e mirë për të mbështetur sovranitetin e Irakut dhe për të inkurajuar irakianët që të jenë të vendosur është përmes ridislokimit të përgjegjshëm të brigadave tona luftarake”.

Të hënën në Irak, zoti Obama u takua me krye-komandantin e forcave amerikane David Petreas. Po atë ditë, kryeministri Nuri al Maliki tha se ai, ashtu si zoti Obama, do që deri në vitin 2010, të tërhiqen trupat luftarake amerikane nga Iraku.

Ndërkohë, rivali republikan Xhon Mekein, po e përshkruan planin e Barak Obamës për Irakun, si një manovër në këtë vit zgjedhjesh.

“Më duket se Senatori Obama preferon të humbasë luftën, për të fituar një fushatë politike”.

Po ashtu, fushata e zotit Mekein po kritikon rrjetet televizive amerikane, përmes një reklame të re televizive, mbulimin pozitiv që ato po i bëjnë fushatës së zotit Obama.

Komentatori për temat politike Xhorxh Will thotë se zoti McCain po përpiqet të tërheqë vëmendjen e mediave.

“Nuk është e mundur që zoti McCain të tërheqë vëmendjen e mediave, deri sa vëmendjes të largohet nga vizita e senatorit Obama nëpër botë”.

Turneu i senatorit Obama mbaron këtë fundjavë. Më pas ai do të vazhdojë fushatën e tij në shtete të ndryshme të Amerikës si dhe përplasjet e pashmangshme me senatorin McCain për çështje të politikës së brendshme.//lk

XS
SM
MD
LG