Lidhje

Më 26 korrik Byroja Federale e Hetimeve shënon 100 vjetorin e saj


Të shtunën më 26 korrik, Byroja Federale e Hetimeve shënon 100 vjetorin e saj. Që nga lindja e saj në vitin 1908, FBI-ja është zgjeruar nga një agjenci me 34 hetues në një burokraci gjigande me 13 mijë agjentë specialë që mbështeten nga një personel prej 23 mijë punonjësish.

Pas lindjes në vitin 1908, FBI-ja mbeti një armë e fshehtë e Departamentit të Drejtësisë me punonjës të emëruar politikisht deri në vitin 1924, kur 26 vjeçari Xhei Edgar Huver mori timonin e agjencisë. Historiani Xhon Foks thotë se Huveri e pastroi agjencinë e zhytur në korrupsionin politik të asaj kohe.

"Ai punoi me gjithë zemër për reformimin e FBI-së në një agjenci rendi brenda qeverisë federale; një profesion në vend të një posti politik."

Nën drejtimin e Huverit, FBI-ja fitoi një reputacion të pakrahasueshëm për hetimet mjeko-ligjore, ndjekjen e të kërkuarve si grabitësin e bankave Xhon Dilinxher i cili u qëllua për vdekje pranë një teatri në Çikago më 1934, dhe mbi të gjitha për pamundësinë e korruptimit.

Huveri u përqendrua në permirësimin e emrit të FBI-së në media dhe në publik, gjë që i dha atij vetë një emër të nderuar. Madje edhe agjentët e sotëm flasin për të me respekt të madh.

Një ish agjent i FBI-së, Sten Pimentel, thotë se Xhei Edgar Huver e drejtoi agjencinë si një çiflig burokratik, pa kontroll apo ndikim nga jashtë.

"Zoti Huver reagonte vetëm ndaj disa ligjvënësve. Duhej të varej nga prokurori i përgjithshëm, por zoti Huver ishte vetë FBI-ja, dhe e drejtonte gjencinë ashtu si donte ai."

Në atë atmosferë të izoluar dhe sekrete, FBI-ja u angazhua në operacione të debatueshme, si përgjimet elektronike dhe ndërhyrja në grupet e aktivistëve në vitet 1960, duke përfshirë Martin Luter Kingun.

85 vjeçari Ed Miler, ish agjent i çështjeve të brendëshme të zbulimit, thotë se Huver shqetësohej rreth lirive civile, por atë e shqetësonte gjithashtu ndikimi komunist, sipas tij, ndaj grupeve civile dhe atyre që ishin kundër luftës. Huver nuk kishte gjë personale kundër zotit King, por ai u neverit kur mësoi mbi lidhjet jashtëmartesore të udhëheqësit të lirive civile.

"Huverit nuk i pëlqente zoti Martin Luther King sepse kishte njoftime rreth moralit të tij."

Pas vdekjes së Huverit në vitin 1972, FBI-ja u bë e hapur dhe më e përgjegjshme para Kongresit. Huveri nuk jetoi të shihte atë që do ta kishte shqetësuar pa masë, arrestimin dhe dënimin e një prej agjentëve të tij Robert Hensen, si njeri që punonte për Moskën.

Sot, agjentët e FBI-së janë më të specializuar se sa të kohës së Huverit. Ndërkohë që FBI-ja ecën drejt shekullit të ri, agjentët përqendrohen tani tek siguria e vendit, kryesisht në anti-terrorizëm.

Historiani i FBI-së Xhon Foks, thotë se gabimet në kohën e Huverit janë bërë mësime për agjentët e sotëm, për balancën ndërmjet mbrojtjes së sigurisë si dhe ruajtjes së të drejtave civile.

"Ai na la gjitashtu shenja të mëdha paralajmëruese, për ato që mund të bëjmë gabim, kur duhet patur kujdes dhe përqendrimit në ato aspekte që të mbajmë një baraspeshë ndërmjet ruajtjes së lirive civile dhe sigurisë. Kjo është një tashëgimi e Huverit dhe diçka e mirë për tu mbajtur mend." //bsa//

XS
SM
MD
LG