Lidhje

Parlamenti i Maqedonisë pritet të miratojë kabinetin e ri qeveritar


Parlamenti i Maqedonisë pritet që të shtunën në darkë ta miratojë kabinetin e ri qeveritar. I ngarkuari me mandatin për formimin e qeverisë, Nikolla Gruevski gjatë ekspozesë që e paraqiti para deputetëve theksoi përparësitë e angazhimit të kabinetit të tij në fushën e ekonomisë dhe në realizimin e projekteve të filluara qysh nga qeveria e kaluar.

Ai premtoi një shkallë më të lartë të punësimit dhe ngritjen e standardit jetësor. Zoti Gruevski e shikon integrimin e vendit të tij në Nato dhe në Bashkimin Evropian si çështje jetike, ndërsa theksoi angazhimin e kabinetit të tij për arritjen e kritereve për këtë synim.

Ai foli për shtimin e luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar; për ruajtjen e raporteve të mira ndëretnike dhe për përfundimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kryeministri i ardhshëm maqedonas u ndal tek nevoja për një arsim sa më cilësor dhe për një sistem sa më të pavarur gjyqësor. Zoti Gruevski bëri të ditur se korridoret 8 dhe 10 do të jenë me përparësi për kabinetin e tij dhe në përgjithësi zhvillimi i infrastrukturës rrugore.

Ai tha se vendi i tij nuk do të pranojë ndryshimin e kushtetutës me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues të vendit që e kërkon Greqia fqinje. Zoti Gruevski tha poashtu se do të rishikohet mundësia e ndryshimeve në kodin zgjedhor për t'i mundësuar diasporës përfaqësim në Parlamentin e Maqedonisë sikundër dhe pakicave më të vogla etnike.

Opozita e bojkotoi seancën: Lidhja Social Demokrate si kusht për t'u kthyer në punimet e Parlamentit, ka kërkuar një garanci në formë të shkruar që pushteti të heqë dorë nga qëllimet për arrestimin e nënkryetarit të kësaj partie Zoran Zaev i akuzuar për korrupsion, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare nuk ka marrë pjesë në asnjë prej seancave të Parlamentit që nga konstituimi i tij pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Opozita po ashtu kërkon që të rishikohet rregullorja e Parlamenit e miratuar para pak ditësh në formë të shpejtë nga partitë VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Intetgrim.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se koalicioni i ri qeveritar e pasqyron realitetin etnik dhe politik në vend dhe qeveria do ta gëzojë një legjitimitet të dyfishtë; do të jetë një qeveri stabile dhe e aftë për t'i zbatuar reformat e duhura.

Partia e Z. Ahmeti do të ketë pesë ministra, një zëvendës-kryeministër dhe tre zëvendës-ministra në qeverinë të cilën do ta drejtojë Z. Nikolla Gruevski.

Të premten, partitë e shumicës parlamentare miratuan pa ndonjë paralajmërim ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili mundëson një përdorim të gjerë të gjuhës shqipe në Parlament dhe në pushtetin vendor.

Qeveria mund të miratohet me shumicën e thjeshtë të votave në Parlement: me 61 vota nga 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë. Partitë VMRO-DPMNE dhe BDI së bashku kanë 81 vota; Koalicionit qeveritar i bashkohet edhe Partia për të Ardhmen Evropiane e cila ka një deputet në Parlament. //bsa//


XS
SM
MD
LG